Katër persona të nacionalitetit serb janë shoqëruar sot në Polici, për të dhënë deklaratë, lidhur me një mural në rrugën “Kral Petar”, për të paraqitur figurat e Patriarkut Pavle dhe Mitropolitit Amfilohije.
VeritasInfo merr vesh se personat e shoqëruar nga Policia e Kosovës, kanë qenë të angazhuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, për të realizuar një vepër të tillë, e cila sipas Policisë së Kosovës, është e ndaluar nesë paraprakisht nuk ka leje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Raportohet se ata kishin nisur punimet duke testuar ngjyrën në mur, kur janë ndaluar nga policia.
I kontaktuar nga VeritasInfo, përkitazi me rastin, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se katër persona janë shoqëruar në stacion policor.
“Katër persona janë shoqëruar në stacion policor. Njërit prej tyre i është shqiptuar gjobë për vandalizëm, ndërsa të tjerët janë liruar pas procedurave policore”, ka thënë Elshani, duke theksuar se nuk do të lejohet të ketë murale të çfardo lloji pa pasur paraprakisht leje nga MAPL.

