Katër komuna të Kosovës, tri nga të cilat qeverisen nga Vetëvendosje, kanë përfituar 1 milionë e 150 mijë euro nga qeveria për të realizuar projekte rrugësh në territoret e tyre.
Nga këto mjete do të përfitojnë Mitrovica e Jugut, Fushë Kosova, Graçanica dhe Obiliqi.
Komuna që ka kryetar Faton Pecin, merrm sipas Ministrisë së Infrastrukturës, 500 mijë euro për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Terstenë, Kutllofc dhe Vllahi.
Ndërkaq, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet komunave Fushë Kosovë dhe Graçanicë, do të financohet rehabilitimi i segmentit të rrugës “Agron Rrahmani”, në të parën, dhe rehabilitimi i asaj “Uglari”, në të dytën. Vlera totale e këtij projekti është 200 mijë euro.
Po ashtu, në Komunën e Obiliqit do të investohen 450 mijë euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh Plemetinin me Hamidinë dhe Sibocin, si dhe për ndërtimin e sistemit të ndriçimit publik.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, këto investime synojnë përmirësimin e infrastrukturës lokale, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e këtyre komunave.
Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve u mor sot në mbledhjen e qeverisë në detyrë, që u udhëhoq nga kryeministri Albin Kurti./Kosovapress/

