Dr. Ognen Ivanovski, kirurg-urolog në Klinikën Universitare të Urologjisë dhe këshilltar shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, apelon për ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e dhurimit të organeve.
Video-mesazhi i dr. Ivanovskit është në kuadër të fushatës kombëtare, e cila realizohet nën moton: “Dhurimi i organeve i jep kuptim më të lartë humanizmit!”.
“Dua t’i bëj apel gjithë opinionit maqedonas, të gjitha komuniteteve etnike, në momentet kur është më e vështirë, kur humbet njeriu më i afërt, të merret një vendim. Të dhurohen organet, me qëllim që të vazhdohet jeta e pacientëve të tjerë, të cilëve u nevojitet më së shumti. Kjo do të ishte një porosi nga zemra për të gjithë opinionin maqedonas”, thekson dr. Ivanovski në video-mesazh.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, porosit se obligimi ynë si institucione është ta zhvillojmë sistemin, të punojmë për rritjen e besimit dhe të krijojmë një kulturë në të cilën dhurimi i organeve do të njihet si akt solidariteti, empatie dhe respekti më të lartë ndaj jetës.

