Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit për të premten.
Ajo e ka cilësuar si “situatë të paprecedentë” mosvazhdimin e procedurës për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, duke akuzuar grupin më të madh parlamentar për mungesë të mbështetjes ndaj propozimeve të partive të tjera.
“Situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet seanca konstituive në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh parlamentar për propozimet që i kanë bërë për nënkryetar partitë e tjera”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Në emër të LDK-së, ajo shprehu indinjatën për mosvazhdimin e procedurës dhe mosvotimin e kandidatëve të propozuar.
Lushaku-Sadriu tha se LDK-ja e ka propozuar Kujtim Shalën për nënkryetar, duke theksuar përvojën e tij.
“Ne e propozuam Kujtim Shalënpër nënkryetar sepse besojmë që përvoja e tij i jep nder Kuvendit, dhe si i tillë është dashur të procedohet për t’u votuar”, deklaroi ajo.
Sipas saj, shtyrja e seancës paraqet një praktikë të pazakontë, veçanërisht duke pasur parasysh se Kuvendi tashmë është jashtë afateve kushtetuese për konstituim.
“Është një praktikë krejt e paprecedent, LVV po harron që jemi jashtë afateve kushtetuese”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Seanca konstituive e Kuvendit është shtyrë për të premten për shkak të mos dakrodimit për zgjedhjen e nënkryetarëve. /Telegrafi/

