Zvicra do të votojë më 29 nëntor për ndryshimin e rregullave që përcaktojnë eksportin e materialeve ushtarake, në një referendum që ka nxitur debat të fortë për industrinë e mbrojtjes, neutralitetin dhe politikën humanitare të vendit.

Reforma, e mbështetur nga qeveria dhe shumica e partive të krahut të djathtë në parlament, synon t’i bëjë më fleksibile rregullat për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake drejt shteteve partnere.
Sipas propozimit, materialet ushtarake mund të eksportohen edhe në shtete partnere që janë të përfshira në konflikte të armatosura, nëse një veprim i tillë është në përputhje me neutralitetin zviceran dhe interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që shtetet që blejnë materiale ushtarake zvicerane të mos jenë gjithmonë të detyruara të kërkojnë miratimin e Bernës për t’ia ritransferuar ato një shteti tjetër. Megjithatë, qeveria zvicerane do të mund ta kërkojë një deklaratë të tillë në raste të veçanta, për arsye të politikës së jashtme, neutralitetit ose sigurisë, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi
Debati për Ukrainën dhe neutralitetin
Çështja është bërë veçanërisht e ndjeshme që nga pushtimi rus i Ukrainës. Rregullat aktuale kanë shkaktuar përplasje mes Zvicrës dhe disa prej partnerëve të saj evropianë, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Holandën dhe Danimarkën, të cilat kanë kërkuar mundësinë për t’ia transferuar Ukrainës materiale ushtarake të prodhuara në Zvicër.
Berna deri tani ka refuzuar autorizime të tilla.
Edhe nëse reforma miratohet, eksportet e drejtpërdrejta të armëve nga Zvicra drejt Ukrainës do të mbeten të ndaluara, për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji zviceran i neutralitetit.
Përplasja politike
Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se rregullat aktuale po e dëmtojnë industrinë zvicerane të armëve në një kohë kur vendet evropiane po rrisin shpenzimet për mbrojtje.
Ata paralajmërojnë se kufizimet e rrepta mund t’i bëjnë kompanitë zvicerane më pak konkurruese dhe të dobësojnë kapacitetet e industrisë vendore të mbrojtjes, e cila konsiderohet e rëndësishme edhe për sigurinë e vetë Zvicrës.
Në anën tjetër, kundërshtarët e reformës, mes tyre partitë e majta, organizatat pacifiste dhe grupe të shoqërisë civile, frikësohen se lehtësimi i eksporteve mund të rrisë rrezikun që armët zvicerane të përfundojnë në zona konflikti.
Ata argumentojnë gjithashtu se ndryshimi mund të dobësojë neutralitetin tradicional të Zvicrës dhe karakterin e saj humanitar.
Eksportet e armëve në rritje
Eksportet zvicerane të materialeve të luftës arritën në rreth 950 milionë franga zvicerane gjatë vitit 2025, rreth 43 për qind më shumë se një vit më parë.
Gjermania mbetet blerësi më i madh i materialeve ushtarake zvicerane.
Tash vendimi përfundimtar u takon qytetarëve zviceranë, të cilët më 29 nëntor do të përcaktojnë nëse vendi do t’i zbusë rregullat për eksportin e armëve apo do t’i mbajë në fuqi kufizimet aktuale./Telegrafi/




