Një grua nga Gjakova ka rrëfyer për herë të parë dhunën sistematike që thotë se e ka përjetuar për 28 vjet në martesën me ish-bashkëshortin, Astrit Isufi, i cili aktualisht gjendet në paraburgim nën dyshimin për vrasjen e dy vëllezërve të saj.

Në një intervistë për emisionin “Debat Plus”, ajo ka treguar se dhuna kishte nisur që në fillim të martesës dhe se, sipas saj, nxitej edhe nga familjarët e ish-bashkëshortit, veçanërisht nga vjehrri.
Për shkak të kërkesës së saj, emisioni ka vendosur të mos ia zbulojë identitetin dhe t’ia mbulojë fytyrën.
Gruaja ka thënë se dhuna ishte bërë pjesë e përditshmërisë së saj dhe se familja e ish-bashkëshortit kujdesej që ajo të mbahej e fshehtë nga të tjerët.
“Unë 20 vjet martesë kam pas me të. Kjo ka zgjatur gjatë, sepse çdo ditë dhunë kam pasur. Më së pari vjehrri e ka nisur. Edhe vjehrri ka pasur dhunë prej burrit të vet. Familjarisht atë dhunë e kanë pasur. Edhe kanë pasur qejf dhunën me e mbajtë më fshehtë, mos me ditë askush”, ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, vjehrri e nxiste ish-bashkëshortin që ta rrihte, por në pjesë të trupit ku shenjat nuk do të dukeshin.
“Kur e shtinte vjehrri me më rrahë mua, i thoshte: rrahe gruan aty ku nuk shihet hiç. Në fytyrë jo, por në trup, ku nuk shihen shenjat”, ka treguar gruaja.
Ajo ka thënë se dhuna zakonisht ndodhte kur burrat ktheheshin nga puna, ndërsa vjehrri, sipas saj, i nxiste djemtë kundër grave.
Pavarësisht dhunës, ajo ka qëndruar për vite në atë martesë, duke thënë se arsyeja kryesore ishin pesë fëmijët e saj.
Në intervistë, ajo ka treguar se për herë të parë kishte vendosur ta raportonte dhunën në polici pas rreth 20 vjetësh martesë.
Historia e saj mori përmasa tragjike vitin e kaluar, kur ish-bashkëshorti, i cili ishte dënuar me tre muaj burgim për veprat e kryera ndaj saj, dyshohet se vrau dy vëllezërit e saj. Për këtë rast, Astrit Isufi aktualisht ndodhet në paraburgim.
Gruaja thotë se as pas kësaj tragjedie nuk kanë përfunduar vuajtjet e saj. Ajo pretendon se vazhdon të përballet me kërcënime dhe presione nga familjarët e ish-bashkëshortit, të cilët, sipas saj, synojnë t’ia marrin pesë fëmijët.
Megjithatë, kujdestaria e fëmijëve, , i është besuar asaj nga gjykata.
Në rrëfimin e saj, ajo ka kërkuar drejtësi dhe mbrojtje nga institucionet, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si është trajtuar rasti i dhunës që kishte raportuar shumë vite më parë.
Burimi: Insajderi




