Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të kësaj komune, Faton Peci.

Ky i fundit, ditë më parë kishte thënë se “LDK funksionon si grup pulash të çakërdisura”, për çka Plakolli ka shprehur indinjatën e tij.
Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se është prekur thellësisht nga deklarata e Pecit.
“Më ka prekur thellësisht, një deklaratë e papranueshme, meqenëse unë jam LDK-ist me bindje, jo profiter. Besoj në LDK. LDK është përtej meje. Të vijë një deklaratë e tillë për një parti politike së cilës ia ke dedikuar 15-20 vjet të jetës, e cila të ka ndërtuar dhe të ka ngritur profesionalisht e personalisht, dua ta shpreh indinjatën time të thellë për atë deklaratë, sepse nuk e di nga ka ardhur dhe për çfarë arsyeje”, ka deklaruar Plakolli.
Ai theksoi përkushtimin e tij shumëvjeçar ndaj LDK-së, duke nënvizuar se besimi i tij në këtë subjekt politik nuk lidhet me interesa personale, por me bindje politike.




