Mbrojtësi holandez foli pas humbjes së rëndë të Liverpoolit, 3-0 ndaj Manchester Cityt në “Anfield”, në një përballje që u zhvillua mes rivalitetit të madh mes dy skuadrave.
Kjo ndeshje ishte takimi i parë mes tyre që nga raportimet për zhvillimet në çështjen financiare të klubit nga Manchesteri, duke shtuar edhe më shumë vëmendjen rreth përballjes.

Van Dijk pranoi se kishte shumë për të thënë për këtë temë, por theksoi se nuk dëshiron të komentojë derisa çështja të marrë një përfundim të qartë.
“E vetmja gjë që mund të them, meqë çështja është ende në vazhdim, është se e kam shijuar shumë rivalitetin”, deklaroi kapiteni i Liverpoolit.
“Por kjo ka të bëjë me atë që ndodh në fushë. Ajo që ka ndodhur jashtë saj është një histori krejt tjetër. Meqë çështja ende nuk është përmbyllur, nuk mendoj se është ide e mirë të komentoj për të”, shtoi ai.
Van Dijk bëri të ditur se do ta shprehë qëndrimin e tij kur rasti të marrë një përfundim përfundimtar.
“Kur gjithçka të jetë zgjidhur siç duhet, patjetër që do t’i ndaj komentet e mia. Për momentin, le të presim dhe të shohim”, përfundoi holandezi.
Burimi: RTKLive




