Ushtarët britanikë do të kenë të drejtë të hapin zjarr ndaj forcave ruse në rast se sulmohen, në kuadër të një misioni shumëkombësh që synon të garantojë sigurinë dhe paqen e ardhshme në Ukrainë, kanë deklaruar zyrtarë perëndimorë.

Mundësia e një përballjeje të drejtpërdrejtë mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë tregon rrezikun e lartë që do të bartte ky operacion, i cili pritet të udhëhiqet nga Londra dhe Parisi, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse misioni do të realizohet ndonjëherë, pasi zbatimi i tij varet nga përfundimi i luftës dhe arritja e një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës. Vetëm pas përmbushjes së këtyre kushteve mund të shqyrtohet vendosja e forcës së quajtur “Forca Shumëkombëshe për Ukrainën” (MNF-U), me ftesë të qeverisë ukrainase.
Një marrëveshje e tillë do të kërkonte ndërprerjen e luftimeve, si dhe dakordimin për një sërë kushtesh dhe kompromisesh mes palëve, në rast se asnjëra nuk arrin fitore të plotë ushtarake.
Përfshirja e trupave nga 11 vende të NATO-s në një mision të tillë duket e vështirë për t’u realizuar, veçanërisht duke pasur parasysh se presidenti rus, Vladimir Putin, ka kundërshtuar vazhdimisht një prani të tillë ushtarake në Ukrainë.
Pavarësisht këtyre pengesave, Londra dhe Parisi po vazhdojnë përgatitjet. Një nga shembujt më të fundit është stërvitja ushtarake në Poloni, ku rreth 300 ushtarë britanikë dhe më shumë se 2 mijë pjesëtarë të forcave të dhjetë vendeve partnere do të marrin pjesë në një ushtrim që nis të hënën dhe do të zgjasë afro dy javë.
Gjatë stërvitjes, të quajtur “Exercise Coalition”, trupat do të ushtrojnë bashkërendimin dhe bashkëpunimin për detyrat që mund t’u caktohen në një operacion të ardhshëm.
Një nga detyrat e mundshme do të ishte vendosja e avionëve luftarakë për të kontribuar në sigurinë e hapësirës ajrore të Ukrainës dhe për të krijuar kushte që fluturimet komerciale të rifillojnë. Aeroportet ukrainase janë të mbyllura për trafikun civil që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.
Në det, anijet turke për çminimin e ujërave do të angazhoheshin për ta bërë më të sigurt lundrimin në rrugët detare të Ukrainës dhe transportin tregtar.
Ndërsa në tokë, fokusi do të jetë te trajnimi i ushtarëve ukrainas dhe forcimi i kapaciteteve të ushtrisë së vendit. Megjithatë, për shkak të përvojës së madhe luftarake të forcave ukrainase, pritet që edhe ato të ndajnë njohuritë e tyre me instruktorët britanikë, francezë dhe evropianë.
Në stërvitjen në Poloni do të marrin pjesë edhe Belgjika, Estonia, Gjermania, Lituania, Holanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Turqia. Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë pjesë e saj.
SHBA-ja nuk është pjesë e forcës shumëkombëshe, megjithëse garancitë e veçanta amerikane të sigurisë për Ukrainën konsiderohen një element i rëndësishëm për çdo marrëveshje të besueshme paqeje.
Një zyrtar perëndimor bëri të ditur se gjatë stërvitjes në Poloni, forca shumëkombëshe nuk do të mbështetet në sistemet amerikane të komunikimit apo në pajisje të tjera të SHBA-së. Kjo mund të jetë një shenjë e përpjekjeve të Britanisë dhe aleatëve të saj evropianë për të zhvilluar kapacitete të pavarura operacionale.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se stërvitja do të testojë mënyrat e lëvizjes, mbrojtjes dhe furnizimit të një force që do të ndihmonte në rindërtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës pas përfundimit të luftimeve.
Pjesë e kontingjentit britanik do të jenë edhe ushtarë të Brigadës së 7-të të Ushtrisë Britanike, të njohur si “Desert Rats”.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se stërvitja dëshmon angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me Francën dhe aleatët e tjerë, për t’u përgatitur për periudhën pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Ky nuk është një plan hipotetik, por një forcë reale, e gatshme për ta ndihmuar Ukrainën sapo të ndalen luftimet”, deklaroi ai.
Britania ka theksuar se operacioni nuk do të jetë mision i NATO-s dhe se trupat nuk do të kryejnë detyra tradicionale të ruajtjes së paqes apo monitorimit të armëpushimit.
Forca Shumëkombëshe për Ukrainën drejtohet nga gjenerallejtënant Tom Bateman dhe përbën krahun ushtarak të asaj që Britania dhe Franca e quajnë “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, i krijuar për të mbështetur Ukrainën.
Komandanti britanik i forcës deklaroi se përgatitjet do të vazhdojnë çdo ditë, me synimin që misioni të jetë i gatshëm ta mbështesë Ukrainën pas përfundimit të luftimeve dhe të ndihmojë në krijimin e kushteve që ushtria ukrainase të jetë në gjendje të pengojë çdo agresion të ardhshëm. /Telegrafi/




