Ish-ambasadori Blerim Canaj ka kritikuar mungesën e veprimeve për rikthimin në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se çështja është lënë në harresë, ndonëse për të kishte pasur edhe protesta për 21 ditë.
Canaj, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se shpreson që iniciativa për këtë ligj të mos ketë qenë vetëm një veprim për konsum të brendshëm politik.

Ai vlerësoi se institucionet e Kosovës është dashur të përgatiteshin diplomatikisht që në fillim, duke pasur parasysh se çështja do të përfshinte edhe Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Shpresoj që nuk ka qenë thjesht një akt për konsum të brendshëm, mendoj që kur përpilohet një ligj i tillë dhe duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me një gjykatë politike, natyrisht që është dashur që ti paraprihet edhe ligjit për shkak se që në fillim ka qenë e qartë se do të ‘përzihet’ edhe Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare dhe është dashur që në fillim të sensibilizohet”.
Canaj vlerësoi se pavarësisht presionit, procesi për ligjin nuk duhej të ndalej.
“Por, duke pasur parasysh situatën që kemi pasur ne në qeveri dhe duke pasur parasysh që diplomacia kosovare s’ka pasur instruksione që të interesohet më shumë për këtë rast jemi këtu ku jemi dhe pastaj mbërrijmë tek pika ku si duket kemi një bashkëdyzim të mos kompetencës dhe ambicieve të tepërta të individëve të caktuar. Mendoj, që ligji nuk do të duhej të ndalet pa mar parasysh presionin”, u shpreh Canaj.
Ish-ambasadori kritikoi edhe faktin se, pas protestave që zgjatën 21 ditë, iniciativa për ligjin nuk është përmendur më, ndërsa brenda PDK-së, sipas tij, vëmendja është zhvendosur te çështja se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i partisë.
“Por të fillohet me një ligj të tillë dhe të protestojnë në rrugë për 21 ditë gjithë ata njerëz dhe tani të zhduket e tëra kjo na qon tek ideja e ambicieve se në vend që të flitet për ligjin – brenda PDK-së si sponzorizuese e ligjit flitet se kush do të jetë kryetari i ardhshëm, ky është derti më i madh i tyre sesa çka po ndodh me ligjin dhe kjo është dëshpëruese”, u shpreh Canaj.
Burimi: Dukagjini




