Mbrëmë në mesnatë, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi në lexim të dytë ligjin e ndryshuar për Gjykatën Speciale dhe zgjodhi presidenten e re, Justina Shiroke Pula, duke shmangur kështu mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Gazetarja Ardiana Thaçi në emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova, ka komentuar këto zhvillime politike.
Thaçi ka deklaruar se në rast se Kurti do të vendoste që vendi të shkonte në zgjedhje, ai do të përballej me rënie të mbështetjes elektorale.
“Nëse Kurti do të shkonte në zgjedhje, janë vetëm dy parti politike që do të fitonin në këtë situatë. Jo që do të fitonin shumicën e votave, sepse ne e dimë se nuk ka shkop magjik që do ta ndryshonte elektoratin brenda katër muajve. Por Kurti do të shënonte rënie në zgjedhje, të cilat potencialisht do të mbaheshin kah mesi i nëntorit”, ka thënë Thaçi.
Sipas saj, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të mund të humbte një pjesë të elektoratit, ndërsa PDK-ja, kishte mundësi për rritje më të madhe, sikurse edhe Aleanca.
Thaçi ka vlerësuar se një skenar i tillë nuk do t’i konvenonte Kurtit, pasi edhe një rënie prej katër për qindësh do t’ia vështirësonte krijimin e një qeverie me fuqi të mjaftueshme për të kaluar ligjet.
“…Edhe nëse do të jetë katër për qind më pak, është humbje, sepse ia pamundëson Kurtit ta ketë një qeveri që, edhe me vota të thjeshta, t’i kalojë ligjet të cilat i duhen”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se “paniku” i Kurtit është vërejtur edhe në veprimet e fundit të tij, duke përmendur edhe çështjen e emërimit të Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Kombëtare.
“…Ka pasur panik sepse nuk mund të votosh ti ligje, nuk mund të vendosësh njerëz në pozita duke i shkelur edhe ligjet (kur e them këtë e kam parasysh cështjen e emërimit të auditorit të përgjithshëm të Zyrës Kombëtare, ku s’ka pasur fare konkurs ia vazhdon mandatin në Kuvend të Kosovës, zonjës Spanca)”, ka deklaruar Thaçi për Klan Kosova.
Gjithashtu, Thaçi theksoi se PDK-ja ka bërë ‘lojën’ më të mirë politike duke vendosur që të ketë vetëm dy kandidatë, me Eliza Hoxhën si kundërkandidate.
“…Kjo ka qenë frika dhe paniku më i madh i z. Kurtit. Mund të themi sepse lojën më të mirë, apo ‘shah-mat’, e bëri Partia Demokratike e Kosovës në momentin kur vendosi që të jenë vetëm dy kandidatë dhe që zonja Eliza Hoxha të jetë kundërkandidatja…”, ka thënë ajo.




