Një grua 28-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar nga Rumania janë arrestuar në kantonin e Lucernës, nën dyshimin se kishin vjedhur bizhuteri të vlefshme duke përdorur një skemë të pazakontë.

Sipas policisë së Lucernës, dy të dyshuarit i afronin viktimat duke nisur biseda me pretekste të ndryshme.
Gjatë bisedës, gruaja i vendoste viktimës një gjerdan rreth qafës, duke krijuar përshtypjen se po i bënte një dhuratë. Gjerdani, megjithatë, ishte vetëm bizhuteri kostumesh, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.
Më pas, ajo e përqafonte viktimën dhe, gjatë këtij momenti, dyshohet se i hiqte nga qafa bizhuteritë e saj të vlefshme pa u vënë re.
Policia ndërhyri pas marrjes së informacionit për rastet dhe një patrullë arriti t’i ndalonte dhe arrestonte dy të dyshuarit.
Autoritetet zvicerane paralajmërojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur persona të panjohur tentojnë t’i afrohen me pretekste të ndryshme, veçanërisht kur përpiqen t’i shpërqendrojnë përmes përqafimeve ose kontakteve fizike.
Policia e Lucernës u bën thirrje qytetarëve të mos shpërqendrohen nga bisedat e papritura me të panjohur dhe të tregojnë kujdes ndaj tentativave të tilla për vjedhje./Telegrafi/




