Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas deklarimeve të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me angazhimin e operatorëve privatë për largimin e mbeturinave në Prishtinë.

Sveçla ka thënë se çdo veprim konkret dhe ligjor që ndihmon në zgjidhjen e problemit me mbeturinat është i mirëseardhur, por ka kritikuar ndryshimin e qëndrimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj angazhimit të operatorëve privatë.
Sipas tij, një zgjidhje e tillë ishte provuar edhe në vitin 2024, por atë kohë PDK-ja e kishte kundërshtuar me arsyetimin se po rrezikohej falimentimi i ndërmarrjes publike “Pastrimi”.
“Angazhimi i operatorëve privatë, siç ndodhi sot, ishte provuar edhe në vitin 2024. Atëherë, PDK-ja e kundërshtonte këtë zgjidhje me arsyetimin se po rrezikohej falimentimi i ndërmarrjes publike ‘Pastrimi’. Madje, angazhimin e operatorëve privatë e kishin ndaluar edhe përmes një rregulloreje, e cila ende është në fuqi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka pretenduar se sot e njëjta parti po e mbështet dhe po e zbaton një zgjidhje që më parë e kishte kundërshtuar.
“Ky ndryshim qëndrimi dëshmon se shqetësimi i tyre i vërtetë asnjëherë nuk ishte falimentimi i ‘Pastrimit’, por kush i negocion dhe i nënshkruan marrëveshjet dhe kontratat me operatorët privatë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Sveçla ka fajësuar qeverisjen komunale për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet.
“Për këtë ‘shqetësim’ të tyre, Prishtina është shndërruar në deponi të bërllogut”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Komuna ka angazhuar operatorë privatë, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), për të ndihmuar ndërmarrjen “Pastrimi” në largimin e mbeturinave.
Rama ka kritikuar gjithashtu Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila, sipas tij, ka dhënë vlerësim negativ për vendimin e Kuvendit Komunal për themelimin e një ndërmarrjeje të re lokale të pastrimit.
Ai ka pretenduar se edhe mosnënshkrimi i marrëveshjes me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), në vlerë prej rreth 72 milionë eurosh, po pengon përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet. /Telegrafi/





