Rusia ka kryer një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj disa qyteteve të Ukrainës, duke vrarë të paktën 20 persona, mes tyre katër fëmijë. Sulmi ndodhi gjatë natës, në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin feston 74-vjetorin e lindjes.

Qyteti më i goditur ishte Priluki, në rajonin e Çernihivit, ku një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe. Si pasojë, 14 persona u vranë, përfshirë katër fëmijë, ndërsa 50 të tjerë u plagosën. Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë 15 persona nga rrënojat dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, shkruan skynews.
Sulme u raportuan edhe në kryeqytetin Kiev. Dy persona u vranë pasi një sulm ajror shkaktoi zjarr në një kompleks garazhesh në lagjen Darnytskyi. Shpërthime dhe dëme u raportuan edhe në lagjet Podil, Obolon dhe Shevchenkivskyi.
Në Kremenchuk, sulmet dëmtuan ndërtesa banimi dhe një objekt industrial. Atje u vranë dy persona dhe shtatë të tjerë u plagosën. Sulme dhe dëme u raportuan gjithashtu në Dnipro, Zaporizhzhia dhe Oleksandria.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e dënoi sulmin, duke thënë se Rusia kishte përdorur dhjetëra raketa dhe dronë dhe se mbrojtja ajrore ukrainase kishte arritur të rrëzonte një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Zelensky theksoi se raketat balistike mbeten një prej sfidave kryesore për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe përsëriti kërkesën për sisteme amerikane Patriot.
Sulmi përkoi me ditëlindjen e Putinit. Zelensky tha se ushtria ruse i kishte dhënë presidentit rus një “dhuratë” duke shkatërruar një ndërtesë banimi në Priluki.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë deklaruar se sulmet kishin në shënjestër objekte të industrisë ushtarake në disa rajone të Ukrainës. /Telegrafi/




