Një ditë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali deklaroi se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes, ndërsa sfidoi udhëheqjen e PS-së me hapjen e garës për drejtimin e partisë pas 17 vitesh.

Në një konferencë për mediat, Spiropali kritikoi mënyrën e vendimmarrjes brenda PS-së, pranoi përgjegjësinë e saj për përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu, ndërsa Belinda Ballukun e cilësoi viktimë të modelit aktual të qeverisjes, për të cilin kërkoi çrrënjosjen.
Duke e cilësuar përjashtimin e saj si një vendim jolegjitim, Spiropali pranoi se mban edhe vetë përgjegjësi për konsolidimin e modelit aktual të qeverisjes.
E pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, për faktin se është gruaja e parë që përjashtohet nga PS-ja, Spiropali tha se këtë vendim e merr si një dekoratë.
“Jam e para grua në 35 vite që përjashtohem, po e marr si dekoratë këtë, meqë kam qenë dhe kryetarja më e re e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do kemi shumë për të parë ende”, u shpreh Spiropali.
Spiropali kundërshtoi procedurën e ndjekur për përjashtimin e saj, duke deklaruar se vendimi ishte marrë pa votim në Asamblenë Kombëtare, ndërsa nuk i ishte dhënë mundësia të shprehte qëndrimin e saj, pavarësisht kërkesave të disa kolegëve socialistë.
“Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk u dha as kjo mundësi. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, le më veprime. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë e të duken bukur”, tha ajo.
Spiropali e krahasoi mënyrën e marrjes së vendimit me praktikat e Koçi Xoxes, duke akuzuar drejtuesit e PS-së për arbitraritet.
“As Koçi Xoxe nuk i bënte këto në mbledhje të mbyllura, pa u dëgjuar ai që duhet të ishte aty. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që, më shumë se legjitimitet, ato shprehin arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së pak njerëzve”, deklaroi Spiropali.
Pavarësisht përjashtimit nga grupi parlamentar i PS-së, Spiropali deklaroi se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes, duke argumentuar se ka dhënë kontribut për Partinë Socialiste. Ajo sfidoi gjithashtu udhëheqjen e PS-së me hapjen e garës për drejtimin e partisë pas 17 vitesh, duke theksuar se nuk mund të ketë kryetar të përjetshëm.
“Nuk e di a më do apo jo Edi Rama, unë di që më duan socialistët, sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Jam një e majtë, një socialiste, një progresiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duhet një garë, atëherë të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin. Statuti nuk është Bibël…”, deklaroi Spiropali.
“Kam dhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit, të konsoliduar ekstremisht në një dorë, të partisë, qeverisë dhe të pushtetit të një njeriu. Kjo është përtej Edi Ramës dhe raportit personal”, tha Spiropali.
Ajo e lidhi këtë model qeverisjeje edhe me protestat e të rinjve, duke argumentuar se numri i mandateve nuk mund të kompensojë mungesën e legjitimitetit dhe të besimit.
“E ka treguar historia botërore që pushtetet nuk mbahen nga muret, por nga respektimi i të drejtave. Mbaj edhe faj, por edhe krenari për të shkuarën time”, u shpreh ajo, ndërsa paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet nëse PS-ja nuk reformohet.
Në konferencën për mediat, Spiropali foli edhe për Belinda Ballukun, duke shprehur keqardhje për të dhe duke e cilësuar viktimë të modelit të ushtrimit të pushtetit.
“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri-tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Që ky pushtet i madh të vazhdojë të qëndrojë në këmbë. Këtu nuk ka lidhje me emrin, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë, sepse ju mund të mendoni që unë e mendoj xhelat, por unë e mendoj viktimë, viktimë të këtij modeli që nuk pyet për procedura, nuk pyet për ligje, integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron pushtetin”, deklaroi Spiropali.
Sipas saj, problemi nuk qëndron te individët, por te sistemi që ka krijuar kushtet për ushtrimin e pushtetit pa mekanizma kontrolli.
“Pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës. Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet dhe më pas, përgjegjësia. A duhet të mbajmë përgjegjësi? Patjetër, si kaloka kjo pa përgjegjësi?”, tha ajo.
Spiropali kërkoi çrrënjosjen e modelit aktual të qeverisjes, duke theksuar se Partia Socialiste nuk duhet të humbasë trashëgiminë e saj politike.
Ajo kritikoi përjashtimin e socialistëve nga proceset vendimmarrëse, ndërsa ngriti pikëpyetjen se përse partia duhet të mobilizohet për të mbrojtur vendime në të cilat nuk ka qenë pjesëmarrëse.
“Nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat. Në këtë pikë ne duhet të çrrënjosim këtë model, t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër. Pse duhet të vuajë PS që të thirret nën armë kur s’ka qenë fare pjesë e vendimmarrjeve? Socialistët janë tërësisht të përjashtuar nga ndarja e pushtetit”, tha Spiropali. /Tch/





