Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Kosovës, ka raportuar për shqetësimet e ngritura nga deputetet dhe asamblistet e komunave të Kosovës, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunë me bazë gjinore”.

Sipas Tërshanit, në këtë diskutim është folur për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, përgjegjësinë institucionale dhe rastet kur dhuna e raportuar ka përfunduar me vrasjen e tyre.
Pjesëmarrëset kanë kërkuar që institucionet t’i trajtojnë me seriozitet të gjitha raportimet dhe të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si adresohen këto raste.
Për këtë çështje ka folur edhe kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se po angazhohet që trajtimi i grave dhe të drejtat e tyre të diskutohen edhe në Kuvend, duke i përfshirë këto çështje në agjendën legjislative.
“Këtë e tha edhe Albulena Haxhiu, e cila bëri me dije se po angazhohet që trajtimi i grave dhe të drejtat e tyre të diskutohen edhe në Kuvend, duke i përfshirë këto çështje edhe në agjendën legjislative. Ajo tha se, edhe nëse e quajnë arrogante apo i adresojnë epitete të tjera, si drejtuese e Kuvendit nuk do të lejojë asnjëherë që gjuha seksiste e përdorur nga burrat të dominojë në këtë institucion”, ka thënë Tërshani.
Ndërkaq, gjatë diskutimit, asamblistet kanë ngritur edhe shqetësime për trajtimin e grave nëpër komuna, problemet infrastrukturore, femicidin, si dhe diskriminimin ndaj grave që bartin shami dhe pengesat që, sipas tyre, ato hasin për t’u bërë pjesë e institucioneve publike.
Raportimi i gazetares nga Kuvendi:





