Deputetja e Partisë Socialiste në Shqipëri, Elisa Spiropali, ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si po trajtohet reforma e re territoriale, duke vënë në pikëpyetje mungesën e decentralizimit, përqendrimin e pushtetit dhe funksionimin e sistemit zgjedhor.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku sot pritet të votohet reforma e re territoriale, Spiropali ka shprehur shqetësimin për mungesën e besimit të qytetarëve në institucione, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.
“Me keqardhje shumë të madhe po e marr fjalën, kur shoh se jo vetëm në këtë Parlament vazhdohet të bëhet teatër, por edhe kemi jashtë njerëz që protestojnë. Po edhe më gjerë kemi një mungesë absolute kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu, te kontrata sociale, te shtyllat e shtetit”, ka deklaruar Spiropali.
Ajo ka vlerësuar se reforma territoriale nuk duhet të kufizohet vetëm te ndryshimi i hartës së bashkive, por duhet të shoqërohet me një decentralizim të mirëfilltë dhe me kompetenca më të mëdha për pushtetin lokal.
“Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë?”, ka thënë ajo.
Sipas Spiropalit, ndryshimi i kufijve administrativë është i lehtë, por sfida e vërtetë qëndron te mënyra se si konceptohet dhe ushtrohet pushteti, si dhe te afërsia e qytetarëve me vendimmarrjen.
Ajo ka theksuar se decentralizimi duhet të përfshijë edhe autonominë e institucioneve dhe përgjegjësinë e të gjitha niveleve të qeverisjes.
“Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryetarët e bashkive, duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisjeje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit”, ka deklaruar deputetja socialiste.
Spiropali ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të kryetarëve të bashkive nga partia në pushtet, duke kërkuar që ata të kenë më shumë autonomi dhe të mos trajtohen si vartës politikë.
“Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës”, ka thënë ajo.
Një tjetër çështje e ngritur nga Spiropali ka qenë sistemi zgjedhor, për të cilin ajo ka kërkuar reformim, duke kritikuar sistemin aktual të listave pjesërisht të hapura dhe pjesërisht të mbyllura.
“Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi”, ka deklaruar Spiropali.
Ajo ka kritikuar edhe qëndrimet e disa kolegëve të saj lidhur me pritshmëritë për fitimin e të gjitha bashkive, duke theksuar se institucionet duhet të jenë më të forta se individët që i drejtojnë.
“Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë”, ka thënë ajo.
Në fund të fjalës së saj, Spiropali ka kërkuar më shumë demokraci të brendshme në partitë politike dhe përzgjedhjen e kandidatëve përmes proceseve të mirëfillta, duke theksuar se reforma duhet të nisë edhe brenda vetë partive.
Ajo ka bërë të ditur se qëndrimi i saj nuk lidhet me çështje personale, por me mënyrën se si po trajtohen reformat dhe përgjegjësitë institucionale.
Spiropali ka paralajmëruar votën kundër reformës së re territoriale, në një kohë kur Kuvendi pritet të votojë për ndryshimet e propozuara./Telegrafi/




