“Është hera e tretë që më ndodh”, kjo ishte përgjigja e njërit prej minatorëve të Trepçës, i cili pas disa orëve bllokim, kishte arritur të dalë nga horizonti i 11-të në minierën e Stantërgut.

Bashkë me të, të bllokuar ishin mbetur edhe 62 minatorë të tjerë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, si pasojë e një defekti në një trafo.
Pavarësisht, që të gjithë minatorët kanë arritur të dalin pas disa orëve, shqetësuese vazhdon të mbetet përsëritja e këtyre rasteve.
Pikërisht për këtë, nga Sindikata e Minatorëve të Trepçës kanë hedhur kritika se askush nuk e merr përgjegjësinë për situatën e krijuar.
Nga kjo sindikatë kanë thënë për Klankosova.tv se përsëritja e rasteve të tillë ka një fajtor dhe sipas tyre, është faktori njeri.
“Paj, më shumë është nga dora e njeriut se defekt teknik. Dikush ato mjete duhet t’i mirëmbajë. Që disa herë ankohemi askush nuk merret me ne. I kemi pasur disa raste që ju kanë ndodhur minatorëve, kanë mbetur të ngujuar. Askush nuk merr përgjegjësi. Nuk funksionon asgjë, as shteti, as ligji.”, thuhet në përgjigjen e kësaj sindikate.
Gjithashtu, është kritikuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pasi që nuk vepron për përmirësimin e situatës, por sipas tyre, ajo mjaftohet me reagime përmes komunikatave.
“Ministrja del e lëshon një deklaratë dhe asgjë më shumë”, thuhet tutje në përgjigje.
Për përsëritjen e rasteve të bllokimit të minatorëve, Klankosova.tv ka kërkuar sqarime edhe nga menaxhmenti i Trepçës, por deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, në një reagim të kësaj ndërmarrje, janë dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.
Sipas SH.A Trepça, pasi ka ndodhur avaria në trafo, sanimi i saj nuk ka arritur të bëhet me kohë, pasi që kanë munguar pjesët rezervë.
“Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësistë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet.”, thuhet në reagimin e kësaj ndërmarrje.
Por, përgjegjësi për atë që ka ndodhur ka kërkuar një deputet i Kuvendit të Kosovës.
Burim Ramadani nga Aleanca ka thënë se përgjegjinë do ta kërkojë nga Qeveria e Kosovës.
“I lumtur që 63 minatorët shpëtuan. Do të kërkoj përgjegjësi nga Qeveria. Kjo nuk ishte hera e parë që minatorëve tanë – krenarisë së nëntokës së Kosovës – u ndodh të ngujohen në qindra metra thellësi. Problemi me energji elektrike nuk duhet të trajtohet si problem teknik. Asessi. Përgjegjësi duhet të ketë!”, ka shkruar Ramadani.
Hetim për rastin ka kërkuar edhe Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj).
Madje, nga ky institut kanë thënë se duhet të aktivizohet edhe Prokuroria e Shtetit, duke hetuar në mënyrë të pavarur incidentin, nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të rregullave të sigurisë.
Instituti ka rikthyer në vëmendje kushtet e vështira dhe rreziqet me të cilat përballen minatorët çdo ditë. /Klankosova.tv




