Presidentja e vendit, Shiroka Pula, ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke kujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe përvjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes këtij reagimi, ajo ka theksuar se kjo datë mbetet simbol i kujtesës, krenarisë dhe nderimit për të gjithë ata që i dolën zot lirisë së Kosovës, përcjell Gazeta Sinjali.
Duke u ndalur te zhvillimet aktuale dhe procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Presidentja Shiroka Pula ka porositur se nuk guxon të harrohet e vërteta dhe thelbi i luftës çlirimtare, duke nënvizuar se lufta për liri nuk mund të barazohet me krim.
Mesazhi i plotë i Presidentes Shiroka Pula:
“28 Nëntori është ditë e kujtesës, e krenarisë dhe e nderimit për ata që i dolën zot lirisë së Kosovës.
Në këtë ditë shënojmë ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe nderojmë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që shënoi një kapitull të ri në rrugën e popullit tonë drejt lirisë.
Sot, kur krerët e UÇK-së po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, është e rëndësishme të mos harrohet thelbi i historisë sonë: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës. Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri.
Adem Jashari dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën mbeten pjesë e përhershme e lavdisë dhe e kujtesës sonë kombëtare.
Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





