Këngëtari i njohur, Sabri Fejzullahu, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për detyrën e re si Presidente e Kosovës.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Fejzullahu ka shprehur urimin e tij për Shiroka-Pulën, të cilën e ka cilësuar si mikeshë të hershme dhe pjesë të një familjeje me traditë atdhetare.
“E dashur mikja ime që nga fëmijëria. Bijë e një familjeje atdhetare ndër breza, me prejardhje aristokrate dhe me një traditë të pasur kombëtare, ti e ke mbartur ndër vite atë lidhje të veçantë me atdheun, me vlerat dhe me dinjitetin që na përcjell brez pas brezi. Sot, kur të besohet detyra e lartë e Presidentes së Republikës së Kosovës, urimi im për ty është edhe një urim për Kosovën: që në krye të shtetit të jetë një personalitet me formim, kulturë, urtësi dhe integritet, një grua që di ta përfaqësojë vendin me dinjitet dhe ta shërbejë atë me përkushtim”.
“Nëse Shiroka i drejtohej Shqipërisë së tij me thirrjen për t’u zgjuar, bashkuar e për ta “njallë atdhen’ e shkretë”, sot ne e lexojmë atë si një amanet të përhershëm: ta duam atdheun, ta forcojmë atë dhe ta shërbejmë me përgjegjësi. Prandaj, mikja ime e hershme, të uroj nga zemra për këtë detyrë të lartë. Të priftë e mbara, me dinjitet, urtësi dhe guxim; me zemrën te Kosova dhe me sytë nga e ardhmja”, ka shkruar Fejzullahu./Klankosova.tv




