Ulutash në deklaratën lamtumirëse: Siguria afatgjate në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Ulutash në deklaratën lamtumirëse: Siguria afatgjate në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Ulutash në deklaratën lamtumirëse: Siguria afatgjate në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, në adresimin e tij lamtumirës ka vlerësuar përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, duke theksuar se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme është politike dhe jo ushtarake.

Sponsor 3M Express

Ulutash në deklaratën e tij lamtumirëse të shpërndarë mediave ka rikujtuar se trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë në qershor të vitit 1999. Ai ka theksuar se rreth 55 mijë ushtarë nga 36 shtete erdhën për të kontribuar në vendosjen e paqes, ndërsa që nga atëherë, mijëra pjesëtarë të misionit kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për stabilitet dhe zhvillim ekonomik e shoqëror.

Sipas tij, situata e sigurisë sot është dukshëm më e mirë sesa në vitin 1999, ndërsa institucionet e sigurisë në Kosovë janë zhvilluar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre.

Ai ka vlerësuar rolin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në garantimin e sigurisë publike për të gjitha komunitetet.

Megjithatë, Ulutash ka theksuar se KFOR-i vazhdon të jetë reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, me prani në të gjithë territorin dhe i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikut për përkeqësimin e situatës së sigurisë, njofton Klankosova.tv.

Komandanti ka rikujtuar se NATO-ja, në muajin qershor, njoftoi për përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, në përgjigje të përmirësimit të situatës së sigurisë. Sipas tij, ky proces po zhvillohet në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Ai ka theksuar se NATO-ja mbetet e përkushtuar përmes KFOR-it për të kontribuar në ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Ajo është politike”, ka deklaruar Ulutash në mesazhin e tij.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij edhe në mbështetje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dialogu është korniza për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura dhe gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Në letrën e lamtumirës, Ulutash ka falënderuar pjesëtarët e KFOR-it për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e treguar gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe institucionet e vendit, Policinë e Kosovës, organizatat e sigurisë, EULEX-in, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, misionin e OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin.

Shefi i misionit të trupave të NATO-s në Kosovë ka shprehur mirënjohje të veçantë për qytetarët e Kosovës për besimin e treguar ndaj KFOR-it, duke e cilësuar nder shërbimin mes tyre.

Komanda e KFOR-it do të vazhdojë nën udhëheqjen e gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer më parë në Kosovë.

I njëjti do të jetë në krye të misionit më 14 tetor.

Në përfundim të mesazhit të tij, komandanti ka theksuar se suksesi i KFOR-it qëndron te bashkëpunimi dhe puna si një ekip i përbashkët./Klankosova.tv

Lexo edhe

Arrestohet 41-vjeçari i kërkuar për vjedhje në Prishtinë

Arrestohet 41-vjeçari i kërkuar për vjedhje në Prishtinë

Pa udhërrëfyes drejt BE-së: Çfarë tjetër rrezikon të humbasë Serbia?

Pa udhërrëfyes drejt BE-së: Çfarë tjetër rrezikon të humbasë Serbia?

Putin: Shitjet e naftës ruse në SHBA dhe tregjet globale, përfitime për ekonominë botërore

Putin: Shitjet e naftës ruse në SHBA dhe tregjet globale, përfitime për ekonominë botërore