Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Vigan Qorrolli, ka thënë se Kosova dhe Belgjika kanë partneritet për një të ardhme të përbashkët evropiane.
“Sot, në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zhvilluam një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, Sh.T. Arnaud Dusaucy, në frymën e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Belgjika është shtet mik dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, mbështetja e së cilës për shtetësinë, zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës përbën një kontribut të çmuar.
“Integrimi evropian, diplomacia parlamentare, bashkëpunimi ekonomik dhe sundimi i ligjit mbeten fusha me potencial të veçantë për avancimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve. Kosova mbetet e përkushtuar për t’i thelluar partneritetet e saj evropiane, me Belgjikën si një ndër miqtë e saj të rëndësishëm”, ka thënë ai.
Burimi: RTKLive





