Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti gabim refuzimin për të mbështetur propozimin e SHBA-së për anëtarësimin e Ukrainës në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit në vitin 2008, duke thënë se pranimi i Ukrainës në Aleancë ndoshta mund ta kishte parandaluar luftën aktuale.

Kancelari gjerman e bëri këtë deklaratë në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Berlin të hënën, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
“Kur kthehemi pas, shohim se çfarë gabimi ishte mosmbështetja e propozimit amerikan në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 për pranimin e Ukrainës në NATO. Nëse ajo do të ishte bërë anëtare e NATO-s, kjo luftë ndoshta mund të ishte parandaluar”, ka thënë Merz, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi perspektivat e Ukrainës për t’iu bashkuar Aleancës.
Në këtë kontekst, kancelari mbështeti qëndrimin e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili ka bërë thirrje për rinisjen e diskutimeve mbi anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Në këtë kuptim, qëndrimi i Francës, të cilin presidenti francez e mbështet tani, është logjik. Ai është gjithashtu në përputhje me garancitë e sigurisë për të cilat Ukraina ka nevojë dhe të cilat ne duam t’i ofrojmë pasi të përfundojë kjo luftë”, theksoi Merz.
Sipas tij, garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën duhet të jenë të ngjashme me ato të parashikuara në Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që ka të bëjë me mbrojtjen kolektive.
“Këto garanci sigurie duhet të jenë të ngjashme me garancitë sipas Nenit 5. Në këtë kuptim, garanci të tilla sigurie janë tashmë shumë pranë anëtarësimit në NATO”, tha më tej Merz.
Ai theksoi gjithashtu se nuk mund ta imagjinojë një të ardhme për Ukrainën pa garanci të besueshme sigurie.
“Sinqerisht, nuk mund ta imagjinoj të ardhmen e Ukrainës pa garancitë e sigurisë për të cilat ajo ka nevojë urgjente. Dhe këto janë garanci sigurie jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne”, nënvizoi kancelari gjerman.
Ndërkohë në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve që të diskutojnë hapur për anëtarësimin e plotë të Ukrainës në Aleancë, si një mekanizëm sigurie më efektiv, më të besueshëm dhe më pak të kushtueshëm sesa garancitë e veçanta të modeluara sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. /Telegrafi/





