Franca ka pezulluar përdorimin e granatave trullosëse gjatë menaxhimit të protestave studentore që kanë përfshirë vendin, pasi një 15-vjeçari iu këput dora në fillim të kësaj jave, sipas BBC.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se kishte kërkuar këtë pezullim derisa të “sqaroheshin” faktet e incidentit të së hënës, duke qenë se versionet e dhëna nga protestuesit dhe autoritetet ishin kontradiktore.
Disa grupe janë ankuar se policia ka përdorur forcë joproporcionale ndaj adoleshentëve.
Trazirat vazhduan edhe të mërkurën në mëngjes, me më shumë se 500 shkolla të mbyllura plotësisht ose pjesërisht, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu pritet të flasë për protestat në shkolla gjatë një fjalimi në mbrëmje.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, në një dalje para Asamblesë Kombëtare të Francës, tha se 24 shkolla ishin “djegur ose vandalizuar” në atë masë saqë do të mbeteshin të mbyllura për disa javë, duke prekur 30,000 nxënës.
Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë të martën për të kërkuar kushte më të mira në shkolla, ndërsa në disa qytete u përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji.
Ministria e Brendshme njoftoi se u arrestuan 488 persona dhe u plagosën 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë.




