Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që pas përmbylljes së procesit të formimit të institucioneve të vendit, puna institucionale të intensifikohet dhe koha të shfrytëzohet në funksion të qytetarëve.

Ai ka komentuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në pozitën e presidentes së Kosovës, duke thënë se me këtë është përmbyllur një proces i gjatë i funksionalizimit të institucioneve.
“Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes”, ka shkruar Kurti transmeton Klankosova.tv.
Shefi i qeverisë ka bërë të ditur se presidentja e re, Justina Shiroka-Pula, sot ka pranuar zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se tashmë, me krijimin e kushteve për funksionim të plotë institucional, duhet të shtohet angazhimi dhe të mos humbet kohë.
“Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, puna e institucioneve duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të përmbushjes së zotimeve dhe programit qeverisës.
Në fund, Kurti ka përcjellë urime për përmbylljen e procesit institucional.




