Protestat masive dhe përplasjet e dhunshme që përfshinë qytete të shumta në Francë gjatë fundjavës mund të shndërrohen në një mundësi politike për lideren e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, përpara zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në prill të vitit 2027.
Liderja e Tubimit Kombëtar (RN) ka kritikuar presidentin Emmanuel Macron për mënyrën se si po e menaxhon krizën, duke pretenduar se ai nuk ka më kredibilitet dhe autoritet për ta drejtuar vendin.

Në një deklaratë me video të dielën, Le Pen i përshkroi qytetarët si të bllokuar mes politikave shtrënguese ekonomike të qeverisë dhe veprimeve të grupeve të së majtës, të cilat i cilësoi si “kryengritëse”.
Ajo ka shprehur mbështetje për pakënaqësitë sociale të protestuesve, por njëkohësisht ka fajësuar të majtën politike dhe dekada të emigracionit për plaçkitjet dhe dëmtimet që shoqëruan demonstratat. Megjithatë, nuk ka paraqitur prova konkrete për pretendimet se trazirat janë nxitur nga emigrantët.
Sipas një analize të publikuar nga Al Jazeera, Le Pen po përpiqet ta paraqesë partinë e saj si forcën më të aftë për të rikthyer rendin dhe stabilitetin në Francë, në një kohë kur pakënaqësitë ekonomike dhe sociale po shtojnë presionin mbi qeverinë.
Mbi gjysmë milioni protestues në rrugët e Francës
Protestat nisën më 21 shtator në një zonë të varfër të Parisit, ku nxënësit kundërshtuan gjendjen e dobët të infrastrukturës shkollore, mungesën e mësimdhënësve dhe oraret e ngarkuara mësimore.
Lëvizja u përhap më pas në mbarë vendin dhe u ndërthur me grevën kombëtare të sektorit publik kundër planeve të qeverisë për shkurtimin e shpenzimeve publike.
Të shtunën, rreth 550 mijë persona morën pjesë në protesta, sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, ndërsa organizatorët pretenduan se numri i pjesëmarrësve arriti në 800 mijë.
Në demonstrata u përfshinë nxënës, grupe sindikaliste dhe përkrahës të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”, e cila kishte organizuar protesta kundër inflacionit në vitin 2018.
Megjithëse shumica e demonstruesve marshuan në mënyrë paqësore, në disa qytete pati sulme ndaj institucioneve publike, zjarrvënie, vandalizëm dhe plaçkitje.
Në Limoges, ndërtesa historike e bashkisë pësoi dëme të mëdha, ndërsa në Lyon u vu zjarr në një zyrë turistike. Në Marseille, persona të maskuar sulmuan një stacion policor, pas së cilës autoritetet ndaluan protestat në qytet.
Edhe në Paris pati dëmtime të vitrinave të dyqaneve dhe hapësirave publike. Statuja e Marianne-s, një simbol i rëndësishëm i Republikës Franceze, u dëmtua pjesërisht.
Deri të dielën, autoritetet njoftuan se rreth 2 mijë e 400 persona ishin arrestuar. Gjithashtu, disa policë u plagosën, ndërsa policia e Parisit raportoi se një person kishte vdekur nga një atak në zemër, pa dhënë hollësi të tjera.
Presidenti Macron i dënoi aktet e dhunës, duke akuzuar grupe të së majtës ekstreme për sulme ndaj policisë dhe ndërtesave publike. Ndërkohë, kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi të hënën se në disa zona do të vendosen kufizime të pjesshme të qarkullimit gjatë natës.
Pse trazirat mund t’i shërbejnë Le Penit?
Profesori emeritus në Universitetin e Melbourne-it, Peter McPhee, i ka përshkruar zhvillimet si një “dhuratë Krishtlindjesh” për partinë e Le Penit, në prag të zgjedhjeve presidenciale, shkruan Al Jazeera.
Sipas tij, dhuna dhe pasiguria mund t’i krijojnë së djathtës ekstreme mundësinë për ta paraqitur veten si alternativë për rivendosjen e rendit, duke përfituar nga pakënaqësitë ndaj qeverisë aktuale.
Le Pen ka kritikuar edhe planet e diskutueshme buxhetore të qeverisë, duke premtuar se do t’i japë fund politikave të Macronit. Megjithatë, ajo nuk ka përmendur se edhe partia e saj ka propozuar shkurtime të rrepta të shpenzimeve për të ulur borxhin publik.
Sipas analizës së Al Jazeera-s, liderja e së djathtës ekstreme po përpiqet gjithashtu ta lidhë dhunën me emigracionin, duke përforcuar narrativat që po qarkullojnë në qarqet e djathta dhe në internet.
Profesori McPhee e ka cilësuar këtë zhvillim si shqetësues, duke argumentuar se problemet ekonomike dhe sociale shpesh shpjegohen përmes përgjigjeve të thjeshtuara dhe paragjykimeve racore.
Në protesta janë bashkuar edhe lëvizje pro-palestineze, ambientaliste, feministe dhe antikolonialiste, çka tregon se pakënaqësitë nuk kufizohen vetëm në një çështje apo grup të vetëm.
Megjithatë, pasojat politike mund të prekin edhe të majtën. Jean-Luc Mélenchon, lider i partisë Franca e Papërkulur (LFI), i cili u është bashkuar protestave, mund të përballet me kritika nëse zemërimi publik për shkatërrimet rritet. Kjo do t’i jepte Le Penit hapësirë shtesë për ta paraqitur partinë e saj si alternativë politike.
Precedentët historikë që mund ta favorizojnë të djathtën
Historia politike e Francës ofron shembuj kur protestat masive dhe trazirat kanë përfunduar duke forcuar partitë konservatore dhe ato që premtojnë rikthimin e rendit.
Në maj të vitit 1968, protestat studentore u përhapën në të gjithë vendin dhe u shoqëruan me greva të miliona punëtorëve. Demonstruesit kundërshtonin kushtet e dobëta në arsim, pabarazinë ekonomike dhe pagat e ndenjura.
Qeveria e presidentit të atëhershëm, Charles de Gaulle, fillimisht pati vështirësi në menaxhimin e krizës. Por, pasi protestat humbën vrullin, De Gaulle shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme në qershor të po atij viti.
Duke fajësuar të majtën për dhunën dhe duke premtuar rikthimin e rendit, partia e tij konservatore fitoi një shumicë të thellë, ndërsa partitë e majta humbën më shumë se gjysmën e ulëseve të tyre.
Një tjetër shembull është lëvizja “Jelekët e Verdhë” e vitit 2018, e cila nisi kundër rritjes së taksave dhe kostos së jetesës nën qeverisjen e Macronit. Pakënaqësitë e asaj periudhe kontribuuan në forcimin e mbështetjes për partinë e Le Penit, veçanërisht në zgjedhjet legjislative të vitit 2022.
Burimi: Dukagjini




