Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësime lidhur me sulmet dhe pengesat politike, me të cilat thotë se po përballet qeverisja e tij.

Ai ka deklaruar se ekzistojnë grupe të organizuara që punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të bllokuar, sipas tij, projektet e kryeqytetit.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, i pari i kryeqytetit shprehu keqardhje për qasjen bllokuese, duke theksuar se që nga fillimi i mandatit ka kërkuar bashkëpunim të gjerë për të mirën e qytetarëve dhe rinisë.
Është për keqardhje faktikisht që ka sulme dhe shantazhe. Krijojnë grupe, kam dëgjuar që e kanë atë grupin ligjor dhe grupin e propagandës që punojnë vazhdimisht kundër meje, kundër kryeqytetit dhe kundër punëve të mira që ne i bëjmë. Kam kërkuar gjithmonë bashkëpunim që nga fillimi, të krijojmë gjëra të mira për të ardhmen tonë, për rininë tonë, por nuk e kanë bërë këtë, për fat të keq”, thaRama.
Rama nënvizoi se drejtimi i kryeqytetit kërkon konsensus dhe përfshirje përtej ndasive politike, arsye për të cilën kishte propozuar një bashkëpunim më të gjerë politik që në nisje.
Si kryetar i kryeqytetit, duhet të bashkëpunoj me të gjithë dhe duhet të krijojmë projekte madhore. Kam bërë thirrje që të kemi një koalicion të gjerë, sepse e kemi pasur vizionin e qartë për atë se çfarë i duhet Prishtinës. Ishte e domosdoshme një bazë e tillë e gjerë për t’i shtyrë proceset e mëdha përpara për kryeqytetin”, tha Përparim Rama. /Klankosova.tv




