Çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” iu nda akademikut dhe poetit rumun Ion Deaconescu, për vlera të larta artistike e estetike, ndërsa çmimi për karrierë letrare “Ditët e Naimit” iu dha poetes shqiptare Flutura Açka.
Gjatë festivalit u ndanë edhe çmimet e tjera letrare: “Menada” për poetin francez Pierre Ech-Ardour, “Silke/Liria” për poeten Angela Valenti Durazzo nga Monako, “Oeneumi” për poeten turke Sevgi Suçin dhe “Qiriu i Naimit” për poeten Eli Rosa Zamora nga Venezuela.

Programi përfshiu tryezë shkencore kushtuar tri dekadave të festivalit, përurimin e Antologjisë së Poezisë Bashkëkohore Botërore, lexime poetike, aktivitete kulturore dhe interpretime muzikore. Në kuadër të manifestimit u vlerësua edhe kontributi i drejtorit të festivalit, Shaip Emërllahu, i cili u shpall anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare “Mihai Eminescu” dhe u nderua me çmimin “Bota e Re”.
Në ceremoninë hapëse, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se, në bashkëpunim me drejtorin e festivalit, është diskutuar institucionalizimi i “Ditëve të Naimit” në kuadër të Komunës së Tetovës.
Festivali, i organizuar në shënim të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Tetovës, ndërsa sponsor i këtij edicioni ishte restoranti “Kurtishi”.
Burimi: RTKLive




