Kremlini ka konfirmuar se është diskutuar mundësia e një takimi të përbashkët mes presidentit rus, Vladimir Putin, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe liderit kinez, Xi Jinping, ndërsa Ukraina ka paralajmëruar se një takim i tillë mund ta inkurajojë Moskën të vazhdojë luftën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi të hënën raportimet e The Wall Street Journal, sipas të cilave Putini ka propozuar një takim me Trumpin dhe Xi Jinpingun gjatë samitit të ardhshëm të APEC-ut në Kinë, me fokus përfundimin e luftës në Ukrainë.

Peskov konfirmoi se ideja është përmendur gjatë bisedimeve, por theksoi se nuk ka propozime konkrete apo marrëveshje për mbajtjen e takimit dhe agjendën e tij.
“Çështja e një takimi të tillë hipotetik është ngritur. Ajo u përmend, por nuk u diskutuan dhe as nuk u paraqitën propozime apo marrëveshje konkrete”, deklaroi Peskov, sipas Reuters.
Ideja ka nxitur reagimin e Ukrainës, e cila kundërshton një format të tillë negociatash pa pjesëmarrjen e saj të drejtpërdrejtë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se një takim mes liderëve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë mund të ndihmonte në përfundimin më të shpejtë të luftës, ndërsa një takim mes Rusisë, Kinës dhe SHBA-së mund të kishte efekt të kundërt.
“Një takim mes Rusisë, Kinës dhe SHBA-së do ta inkurajonte Putinin ta vazhdonte këtë luftë”, paralajmëroi Sybiha përmes një reagimi në platformën X.
Nga ana tjetër, Peskov tha se Moska e vlerëson rolin ndërmjetësues të SHBA-së, duke pranuar se një zgjidhje përfundimtare e konfliktit nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ukrainës.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me kushtet për armëpushim dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kremlini konfirmon diskutimet për takimin Putin-Trump-Xi gjatë muajve të ardhshëm appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali



