Kampionia në fuqi e Kosovës, Trepça, e ka nisur me humbje sezonin e rregullt në FIBA Europe Cup.

Mitrovicasit u mposhtën të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” nga Promitheas Patras me rezultat 91:77, në ndeshjen e parë të Grupit A.
Skuadra greke e nisi furishëm takimin dhe krijoi epërsi të madhe që në çerekun e parë, të cilin e fitoi 28:12.
Trepça reagoi në periudhën e dytë dhe arriti ta fitojë atë me rezultat 27:17, duke e mbyllur pjesën e parë me 45:39 në favor të mysafirëve.
Megjithatë, mitrovicasit nuk arritën ta vazhdonin ritmin e njëjtë pas pushimit. Promitheas fitoi çerekun e tretë 22:18, ndërsa në të fundit triumfoi 24:20, për ta siguruar fitoren e parë në grupin A.
Kevin Bracy-Davis ishte basketbollisti më efikas te Trepça me 25 pikë, dy kërcime dhe një asistim.
Paraqitje të mira patën edhe Shawn Jones dhe Dardan Kapiti. Jones kontribuoi me 13 pikë, tri kërcime dhe tri asistime, ndërsa Kapiti e mbylli ndeshjen me 11 pikë, shtatë kërcime dhe katër asistime.
Matt Mobley shtoi dhjetë pikë për Trepçën. Te Promitheas, më i dalluari ishte Kendal Coleman me dyshifror të dyfishtë, duke regjistruar 14 pikë, 11 kërcime dhe një asistim.
Ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup, Trepça do ta zhvillojë më 14 tetor në Kroaci, ku do të përballet me BC Splitin./Telegrafi/




