Nelson Hysa po e intensifikon përgatitjen për sfidën më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të ngjitet në ring më 28 nëntor në Dusseldorf, ku do të përballet me Agit Kabayel për titullin botëror të WBC-së në kategorinë e peshave të rënda.

Hysa ka përcjellë një mesazh për fansat, duke bërë të qartë se po stërvitet maksimalisht për këtë përballje. “Po stërvitem fort çdo ditë për këtë ndeshje. Faleminderit nga zemra për gjithë mbështetjen që po më jepni!”, ka shkruar ai, duke iu bërë thirrje shqiptarëve që të jenë të pranishëm në këtë mbrëmje të rëndësishme.
“Biletat po ikin shpejt, ndaj mos i lini për momentin e fundit. Dhe një gjë… mos harroni flamujt kuq e zi dhe plisat!”, ka shtuar Hysa, duke synuar të krijojë një atmosferë të veçantë shqiptare në Düsseldorf.
Përballë tij do të jetë Agit Kabayel, i cili do ta mbrojë për herë të parë titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda.
Gjermani ka një rekord perfekt prej 27 fitoreve në po aq ndeshje, 19 prej tyre me nokaut. Ai u bë kampion i plotë i WBC-së në qershor të këtij viti, pasi titulli mbeti vakant pas largimit të Oleksandr Usykut.
Hysa, ndërkohë, është gjithashtu i pamposhtur në karrierën profesioniste. Shqiptari ka 25 fitore në 25 përballje, me 23 prej tyre të ardhura me nokaut.
Përballja me Kabayel përfaqëson mundësinë më të madhe të karrierës së tij dhe një rast historik për t’u bërë kampioni i parë shqiptar i botës në peshat e rënda.
Dueli do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena në Dusseldorf, një stadium me kapacitet rreth 60 mijë tifozë.
Organizatorët kanë konfirmuar se përballja do të transmetohet drejtpërdrejt në DAZN, ndërsa interesi për biletat ka qenë i madh që prej daljes së tyre në shitje.
Kjo përballje do të zhvillohet pikërisht më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i dhënë edhe një simbolikë të veçantë sfidës së Hysës.
Dy boksierët hyjnë në ring të pamposhtur, me titullin botëror të WBC-së në peshat e rënda si trofeun e madh në lojë. /Telegrafi/




