Një natë në lokalin “MOEE Lounge Bar” në Kamenicë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, trajtim mjekësor për dy persona dhe arrestimin e njërit prej tyre. Një përleshje e raportuar në orët e vona të së shtunës ka vënë në lëvizje njësitë policore, ndërsa rasti tashmë po hetohet si lëndim i lehtë trupor.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në incident janë përfshirë Erdoan Murina, 43 vjeçar dhe Isak Sabedinaj, 19 vjeçar, ndërsa gjithçka ka ndodhur më 31 tetor, rreth orës 22:20, në kafiterinë “MOEE Lounge Bar”, në rrugën “Skënderbeu” në Kamenicë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia ka pranuar një njoftim për përleshje brenda lokalit dhe njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Pas identifikimit të personave të përfshirë, si Murina, ashtu edhe Sabedinaj janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.
Në rast është identifikuar edhe një dëshmitar, R.D. 21 vjeçar, ndërsa hetimet i ka marrë në trajtim njësia përkatëse e hetimeve në Kamenicë.
Erdoan Murina është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë, ndaj tij është urdhëruar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e përleshjes dhe mënyra se si ka nisur konflikti mes personave të përfshirë.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




