Komisioneri i Bashkimit Evropian për Tregtinë, Maros Sefqoviq, ka mbërritur në Pekin për bisedime dyditore me zyrtarët kinezë, në përpjekje për të adresuar deficitin tregtar të BE-së me Kinën dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve tregtare.
Pas takimit me ministrin kinez të Tregtisë, Wang Wentao, Sefqoviq tha se BE-ja po punon për të “ribalancuar tregtinë BE-Kinë”, duke theksuar se bisedimet duhet të prodhojnë rezultate konkrete.

Vizita e tij vjen në një kohë kur deficiti tregtar i BE-së me Kinën është rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2022. Sipas të dhënave të BE-së, Kina eksporton në tregun evropian rreth 1 miliard euro më shumë mallra dhe shërbime çdo ditë sesa eksporton BE-ja në Kinë.
Në Bruksel, një pjesë e këtij hendeku i atribuohet praktikave që BE-ja i konsideron të padrejta tregtare, përfshirë subvencionet shtetërore dhe shitjen e produkteve me çmime shumë të ulëta, që sipas zyrtarëve evropianë dëmtojnë konkurrencën e kompanive evropiane. Pekini i ka hedhur poshtë këto akuza.
Kina kërkon dialog
Ministria e Jashtme e Kinës bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim, duke deklaruar se zgjidhja e dallimeve ekonomike dhe tregtare përmes dialogut dhe konsultimeve të barabarta është në interesin e përbashkët të Kinës dhe BE-së.
Zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, tha se Kina shpreson që pala evropiane të punojë së bashku me Pekinin për të gjetur zgjidhje.
Gjatë vizitës, Sefqoviq u takua gjithashtu me përfaqësues të kompanive evropiane që operojnë në Kinë. Sipas tij, mesazhi i tyre ishte i qartë: nevoja për qasje më të mirë në tregun kinez dhe njëkohësisht forcimi i sigurisë ekonomike të BE-së.
Në fokus edhe automjetet hibride
Përveç deficitit tregtar, në bisedime pritet të trajtohet edhe mosmarrëveshja për eksportet kineze të automjeteve hibride drejt tregut evropian.
Sipas diplomatëve, Kina ka refuzuar kërkesat për të kufizuar vullnetarisht eksportet në rritje të këtyre automjeteve drejt BE-së.
Brukseli mund të shqyrtojë vendosjen e përkohshme të kuotave dhe tarifave për importet e automjeteve kineze, masë të cilën Pekini e kundërshton fuqishëm.
Merz dhe Macron kërkojnë masa më të ashpra
Në fillim të kësaj jave, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kërkuan masa më të forta të BE-së ndaj praktikave tregtare që ata i konsiderojnë të padrejta.
Sipas tyre, këto praktika po dëmtojnë kompanitë evropiane dhe po rrisin varësinë ekonomike të bllokut nga Kina.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi muajin e kaluar se çekuilibri aktual tregtar mund të çojë në deindustrializimin e qendrave industriale të Evropës.
Marrëdhëniet tregtare me Kinën pritet të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të liderëve të BE-së në samitin që do të mbahet në Bruksel javën e ardhshme.
Burimi: Dukagjini




