Një ish-mësues, i cili kishte kryer sulm seksual ndaj një nxënëseje, është rikthyer në burg në Indonezi pasi një hetim i BBC-së zbuloi se ai ishte liruar fshehurazi para kohe.

Mochamad Subchi Azal Tsani, i njohur si Bechi, u dënua me shtatë vite burg në vitin 2022, pasi u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një nxënëseje në shkollën e njohur islamike me konvikt të babait të tij në Javën Lindore, ku ai punonte si mësues.
Një hetim i fshehtë i “BBC Eye” zbuloi se ai ishte liruar fshehurazi me kusht në gusht të vitit 2025, pasi kishte vuajtur më pak se gjysmën e dënimit. Gruaja, ndaj së cilës ai kishte kryer sulmin, nuk ishte njoftuar – pavarësisht të drejtës së saj ligjore për të ditur.
Kur mori vesh se ai ishte rikthyer në burg, ajo qau nga lehtësimi.
“Lutem që kjo të mos i ndodhë askujt tjetër dhe që, në të ardhmen, ligji të zbatohet me drejtësi në Indonezi,” i tha BBC-së ish-nxënësja, e cila dëshironte të mbetej anonime.
Ministria e Emigracionit dhe Korrektimit i kishte thënë më parë BBC-së se Bechi ishte liruar për shkak të shkurtimeve të dënimit të dhëna në përputhje me rregulloret.
Por hetimi i BBC-së shkaktoi reagime të ashpra publike dhe çoi në kërkesa nga ligjvënësit për një hetim, pas së cilës qeveria njoftoi një shqyrtim gjithëpërfshirës.
Ai shqyrtim zbuloi “gabime”, të cilat çuan në anulimin e lirimit me kusht të Bechi-t. Tashmë ai është rikthyer në burg.




