Ekipi Medial i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se nga sot do të rifillojë publikimet në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale Facebook dhe X.

Sipas njoftimit, në këto platforma do të publikohen materiale arkivore që dokumentojnë veprimtarinë politike dhe institucionale të Thaçit, nga periudha kur ishte Kryeministër e deri në përfundim të mandatit si President i Kosovës, në vitin 2020.
Publikimet do të përfshijnë fotografi, video, dokumente, fjalime, deklarata, takime shtetërore e ndërkombëtare, vizita dhe momente të rëndësishme të angazhimit të tij institucional.
Ekipi Medial ka bërë të ditur se përmbajtjet do të fokusohen vetëm në dokumentimin e veprimtarisë së kaluar të Thaçit, pa përfshirë komente apo qëndrime për zhvillimet aktuale politike.
Profilet do të administrohen nga Ekipi Medial i Presidentit Hashim Thaçi, i cili do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe publikimin e materialeve.
Sipas njoftimit, synimi është që këto platforma të shërbejnë si arkiv publik për ruajtjen dhe dokumentimin e një periudhe të rëndësishme të historisë politike dhe institucionale të Kosovës.
Burimi: Sinjali




