Në protestën e mbajtur para Gjykatës Supreme, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, të cilët kanë mbetur pa paga që dy muaj, kanë kërkuar drejtësi.

“Duam drejtësi! Sot duhet të dëgjohet zëri i mbi 330 punëtorëve. Duhet të dëgjohet nga të gjithë. Paga është një e drejtë, puna është një e drejtë dhe punëtori nuk është vetëm një numër. Familja e punëtorit nuk mund të presë pafundësisht. Ne duam që drejtësia të vihet në vend”, tha njëri nga punëtorët.
Po ashtu, njëri nga punëtorët është takuar me zyrtarët e Gjykatës Supreme, teksa ka theksuar se i është premtuar se rasti do të trajtohet me prioritet.
“Nuk na dhanë datën, por na thanë se me prioritet do ta marrin lëndën tonë dhe do të na respektojnë”, tha ai para gazetarëve.
Në gusht, Ndërmarrja Publike Banesore njoftoi se llogaritë e saj bankare janë bllokuar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.
Ndërkohë, përmes një reagimi, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se lënda që lidhet me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026, dhe aktualisht është në shqyrtim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post “Paga është një e drejtë, duam drejtësi”, punëtorët e NPB-së protestojnë para Gjykatës Supreme appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




