Trajneri gjerman vazhdon të ketë reputacion të lartë në futbollin vendas, falë punës së tij te RB Leipzig dhe Bayern Munich, përpara se të merrte drejtimin e kombëtares gjermane në vitin 2023.
Pas eliminimit të Gjermanisë nga Kampionati Botëror 2026, Nagelsmann u largua nga posti i përzgjedhësit, ndërsa në drejtimin e skuadrës kombëtare e zëvendësoi ish-trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp.

Megjithatë, emri i Nagelsmannit ka filluar të lidhet sërish me një rikthim të mundshëm në Bundesligë, veçanërisht në një kohë kur RB Leipzig po përballet me presion për shkak të rezultateve jo të qëndrueshme në edicionin 2026/27.
Trajneri aktual i Leipzigut, Martin Demichelis, është vënë në qendër të diskutimeve, por drejtuesit e klubit nuk duket se kanë ndërmend të ndërhyjnë në stafin teknik.
Shefi i futbollit në kompaninë Red Bull, Roger Schmidt, ka mohuar se ekziston një plan për ta zëvendësuar trajnerin argjentinas me Nagelsmannin.
“Thashethemet janë normale në ditët e sotme. Në futboll, duhet të përballesh me çështje të tilla kur humb ndeshje”, ka deklaruar Schmidt.
Ai ka bërë të qartë se klubi nuk është duke shqyrtuar ndryshimin e trajnerit, duke hedhur poshtë për momentin mundësinë e rikthimit të Nagelsmannit në stolin e Leipzigut.
Nagelsmann e njeh mirë ambientin e klubit, pasi e drejtoi Leipzigun për dy sezone përpara kalimit te Bayern Munichu. Përvoja e tij në Bundesligë dhe puna me kombëtaren gjermane e mbajnë atë një emër të vlerësuar në tregun e trajnerëve.
Megjithatë, për momentin, një rikthim te Leipzigu mbetet vetëm në kuadër të spekulimeve, pasi drejtuesit e klubit kanë shprehur mbështetje për trajnerin aktual.
Burimi: RTKLive




