“Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit

“Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit

“Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit

Veprat e artit që paraqesin Afërditën, perëndeshën e lashtë greke të dashurisë dhe bukurisë, prej kohësh janë cilësuar si të pahijshme dhe si vepra që e trajtojnë trupin e femrës si objekt. Si u bë ajo një nga figurat më kontroverse në historinë e artit?

Sponsor 3M Express

Nga: Matthew Wilson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Lakuriqësia e Afërditës (ose Venerës, siç njihej nga romakët e lashtë) ka qenë për shekuj të tërë temë debati.

Në vitin 1880, shkrimtari i tronditur Mark Twain e quajti Venerën e Urbinos (1534) të Titianit “pikturën më të ndyrë, më të poshtër dhe më të pahijshme që ekziston në botë”. Në vitin 1914, sufraxhistja [aktivistja për të drejtën e votës për gra] Mary Richardson e goditi të paktën tri herë me thikë mishi Venerën e Rokebit (rreth viteve 1647-51) të Diego Velázquezit, mu në mes të Galerisë Kombëtare të Londrës. “Nuk më pëlqente mënyra se si vizitorët burra ia ngulnin sytë gjithë ditën”, ishte një nga shpjegimet e saj të mëvonshme.

Afërdita: Krijimi i një perëndeshe [Aphrodite: The Making of a Goddess], një ekspozitë e re në Muzeun Eshmolian [Ashmolean Museum] të Oksfordit, shqyrton historinë e perëndeshës. Ajo ndihmon për të shpjeguar se si Afërdita evoluoi në një pikë ndezëse të një kontroverse kaq të fortë kulturore.

Lexo po ashtu:
– Mesazhet e fshehura në nudot femërore të shekullit XVI
– Erotika dhe artistët e Rilindjes
– E vërteta mbi dashurinë
– Zhdukja e erotizmit
– Nudo që ndryshoi rregullat e artit
– Të shtrirë për art!
– Pse gratë në Spartë duhej të mësonin të zhveshura (ndërsa burrat shikonin)
– A janë të gjitha pikturat politike?
– Historia e artit, përmes shtatë ngjyrave

Janë dy versione të historisë së origjinës së saj: një mitologjik dhe një historikisht i saktë, dhe asnjëri prej tyre nuk e veçon veçanërisht si një figurë që do të shkaktonte telashe në të ardhmen. Në mit, rrëfimi fillon me Kronin që tredh të atin, Uranin, dhe ia hedh organet gjenitale në det; shkuma nisi të bulëzonte në sipërfaqe dhe prej saj doli Afërdita e formuar plotësisht. Ajo rrëshqiti mbi valë drejt ishullit të Qipros, ku hapat e saj bënë që lulet të çelnin në mënyrë të mrekullueshme nga toka.

“Venera e Urbinos” e TitianitGaleria Ufici, Firence

Edhe versioni historik i lindjes së Afërditës nis në Qipro, ku ajo u shfaq si hyjni rreth vitit 1200 para erës sonë. Ajo ishte një shtesë e re dhe e veçantë në panteon, por kishte tipare të cilat, me sa duket, kishin evoluar prej perëndeshave më të lashta të Lindjes së Mesme, si Ishtar, Astarta dhe Hathor. Për këto perëndesha arkaike, “seksualiteti, dashuria dhe pjelloria ishin karakteristikat e tyre kryesore”, i thotë BBC-së Anja Ulbrich, kuratorja e ekspozitës së Eshmolianit, “por të gjitha kishin më shumë se një funksion”.

E njëjta gjë vlente edhe për Afërditën e cila në vitet e saj të hershme nuk ishte vetëm perëndeshë e dashurisë romantike, por e gjithë dashurisë fizike dhe e riprodhimit – si në botën e kafshëve dhe të bimëve, ashtu edhe në sferën njerëzore. Dhe, personaliteti i saj kishte edhe anë të tjera, ndoshta më pak të njohura. Ajo luftoi në Luftën e Trojës – dhe, ky aspekt luftarak i personalitetit të saj bëri që të adhurohej nga marina e Greqisë së Lashtë.

“Venera e Rokebit” e Diego Velázquezit (rreth viteve 1647-51)Galeria Kombëtare, Londër

Afërdita madje mund të pretendojë se është themeluesja e qytetërimit romak. Një rrëfim mitologjik përshkruan lidhjen e saj me princin trojan Ankizin; djali i tyre Eneu iku në Itali pas rënies së Trojës dhe thuhej se pasardhësit e tij kishin themeluar qytetin e Romës.

Pas shfaqjes së saj fillestare në Qipro, në shekullin XIII para erës sonë, Afërdita u bë shumë e njohur mes njerëzve dhe adhurimi i saj u përhap në të gjithë Greqinë e Lashtë. Përse ishte kaq tërheqëse? “Pjelloria, dashuria, riprodhimi janë tema që i përkasin mbarë njerëzimit, pavarësisht kulturës”, thotë Ulbrich. “Një nga emrat e saj është Pandemos: perëndesha e të gjithë njerëzve. Nuk janë vetëm luftëtarët apo gratë: dashuria prek këdo dhe gjithçka. Ajo përshkon jetën”.

Një lloj i ri lakuriqësie

Deri këtu, asgjë kontroverse. Për disa qindra vjet, artistët nuk e paraqitën Afërditën disi ndryshe nga perëndeshat e tjera gra të Olimpit. Dhe, në vitet e saj të hershme, zakonisht nuk e paraqitnin të zhveshur dhe sigurisht kurrë në pozat më provokuese me të cilat e lidhim sot. Por, më pas, në vitin 350 para erës sonë, u shfaq një vepër arti që ndryshoi gjithçka.

Afërdita e Knidit (rreth vitit 350 p.e.s.) e Praksitelit ishte vepra e parë artistike në Greqinë e Lashtë që paraqiste një grua krejtësisht të zhveshur. Skulptura origjinale ka humbur, por mund të krijojmë një ide të mirë se si dukej nga kopjet e mëvonshme romake, si Venera e Kapitolit (rreth vitit 160 p.e.s.).

Para Praksitelit, vetëm figurat mashkullore paraqiteshin të zhveshura. “Vlerësimi i bukurisë fizike mashkullore, përmes lakuriqësisë, ishte krejtësisht normal që nga shekulli VII ose VI para erës sonë e më tej”, thotë Ulbrich. Kështu, Praksiteli zgjodhi të bënte të njëjtën gjë për bukurinë fizike femërore.

Ka humbur “Afërdita e Knidit” e Praksitelit, por kopjet e mëvonshme romake, si “Venera e Kapitolit”, janë të ngjashmeMuzeu Eshmolian

Lakuriqësia e Afërditës ishte ndryshe. Nëse shikoni me kujdes, mund të dalloni se sa ndryshe paraqitet lakuriqësia në skulpturat greke të meshkujve: gjithçka qëndron te gjuha e trupit. Afërdita e Praksitelit paraqitet e zënë në befasi teksa lahet. Ajo duket e ndrojtur dhe e cenueshme, duke mbuluar veten nga turpi ose sikleti, ndërsa trupi i zhveshur mashkullor në artin grek ishte paraqitur gjithmonë si i sigurt në vetvete dhe heroik. Ulbrich shpjegon: “Kjo bazohet kryesisht në mënyrën se si ajo paraqitet në mite, ku lahet vazhdimisht dhe kujdeset për bukurinë e saj fizike”.

Por, në veprën e Praksitelit, duart e Afërditës janë vendosur paksa larg trupit, duke bërë të mundur që shikuesi ta shohë trupin e saj të zbuluar nëse e vështron nga kënde të ndryshme. Është një vepër arti që fton ndërveprimin dhe e shpërblen shikuesin për kureshtjen e tij sensuale. Këto teknika novatore artistike do të shkaktonin debate të zjarrta në shekujt që do të vinin dhe u krijua një emër për pozën e skulpturës së Praksitelit: Venera pudike (“modeste” ose “e turpshme”).

Afërdita e Knidit ishte “revolucionare”, thotë Ulbrich. Para Praksitelit, Afërdita mund të dallohej në skulptura nga një sërë veshjesh, stolish dhe tiparesh të tjera. Më pas, thotë ajo, “lakuriqësia, në thelb, merr epërsinë”.

Ia vlen të pranohet se trupi i zhveshur është krejtësisht natyror dhe nuk është në vetvete kontrovers. Ajo që do ta bënte Afërditën kaq provokuese, në vitet e mëvonshme, nuk ishte fakti se ishte e zhveshur, por mënyra se si trupi i saj pozohej për kënaqësinë e shikuesit. Kjo e shndërroi atë në një objekt epshi.

Skulptura origjinale e Praksitelit ishte aq frymëzuese saqë më vonë u kopjua mijëra herë prej skulptorëve romakë, dhe Venera e Kapitolit është vetëm një shembull i famshëm i këtyre kopjeve. Venera pudike kishte çliruar një mënyrë të re të të parit të trupit të grave në art, dhe ajo u përhap në të gjitha territoret e sunduara nga Perandoria Romake – përfshirë Evropën, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Afërdita rilindi në vepra të tjera arti si “Lindja e Venerës” e Botticellit dhe versioni i shekullit XX i Yves KleinitMuzeu Eshmolian

Rilindja erotike e Afërditës

Por, ndikimi nuk u kufizua vetëm në botën e lashtë. Gjatë Rilindjes, artistët filluan të kërkonin dhe të kopjonin skulpturat klasike me më shumë vendosmëri sesa kishin bërë për një mijëvjeçar. Dhe, një nga tipat më të admiruar ishte Venera pudike. Kështu, Afërdita, në personazhin e saj të zhveshur, joshës dhe të përulur, siç e kishte konceptuar Praksiteli, rilindi në veprat e Masaccios, Botticellit, Raphaelit dhe Titianit – artistë të cilët më vonë do të bëheshin “emrat e mëdhenj” të historisë së artit. Disa artistë e përdorën këtë pozë për të paraqitur Afërditën, por shumë të tjerë e përdorën për lloje të tjera figurash femërore. Ajo frymëzoi gjithashtu artistë të tjerë që të krijonin poza të reja të mbështetura në të njëjtën premisë themelore të lakuriqësisë së ndrojtur.

Dhe, kështu, përmes ripunimit të përsëritur të Venerës pudike nga artistët, forma e objektifikuar femërore u bë tipar i pashlyeshëm i kanunit të historisë së artit. Rubensi dhe Velázquezi e rimishëruan atë në periudhën baroke. Ajo u ringjall nga Cabaneli dhe Maneti në shekullin XIX, si dhe nga Modigliani dhe Yves Kleini në shekullin XX. Zemërimi i Mark Twainit dhe Mary Richardsonit janë reagime ndaj kësaj historie të erotizimit të Afërditës.

Anja Ulbrich i thotë BBC-së se perëndesha është paraqitur në shumë mënyra të ndryshme dhe se skulptura e Praksitelit nuk duhet patjetër të jetë përfytyrimi ynë përcaktues për të. Një nga objektet e ekspozuara në Eshmolian ishte bërë në Northamberland dhe e paraqet Afërditën duke u larë. Në një largësi kaq të madhe nga Mesdheu, thotë Ulbrich duke buzëqeshur, “ajo duket goxha e bezdisur nga të ftohtit”.

Alexandre Cabanel, “Lindja e Venerës”Muzeu Orse, Paris

Në kohët më të fundit, dhe jashtë ndikimit të Praksitelit, Afërdita shpesh paraqitet ndryshe, ndonjëherë edhe si një ikonë e fuqizimit. Në vitin 2023, Beyoncé hapi një koncert duke dalë në skenë në një guaskë gjigante molusku, e veshur me një fustan të zbukuruar me duar të tipit Venera Pudike. Björk, Lady Gaga, Kylie Minogue dhe [grupi] Bananarama kanë shkruar të gjitha këngë për perëndeshën.

Si simbol i bukurisë dhe dëshirueshmërisë së skajshme, Afërdita është përshtatur dhe riformësuar për të pasqyruar nevojat e publikut të saj për tre mijë vjet e më shumë, një jetëgjatësi e jashtëzakonshme për një hyjni të lashtë greke. Një ide tjetër mahnitëse është se një skulpturë e vetme – Afërdita e Knidit e Praksitelit – i ka formësuar kaq thellë qëndrimet tona ndaj lakuriqësisë.

Nuk ka asnjë shenjë se dominimi i saj mbi çështjet e të vdekshmëve po merr fund, apo se kontroversa rreth saj po zbehet – tema e bukurisë dhe mënyra se si trajtohet ajo do të jenë përherë të rëndësishme dhe gjithmonë objekt debati, duke pasqyruar opinionin publik teksa ai shpalesot me kalimin e kohës. “Në varësi të kontekstit, njerëzit thjesht e kanë kufizuar atë në atë që u nevojitet dhe atë që duan”, thotë Ulbrich. “E dini, ajo është shumë e gjithanshme”. /Telegrafi/

Lexo edhe

Capital T “thyen” rrjetin, fotografia në odë me Hamëz Jasharin e ri dhe djalin e “Katanës” merr vëmendje të madhe

Capital T “thyen” rrjetin, fotografia në odë me Hamëz Jasharin e ri dhe djalin e “Katanës” merr vëmendje të madhe

Çfarë nuk duhet të mungojë në kuzhinë gjatë vjeshtës?

Çfarë nuk duhet të mungojë në kuzhinë gjatë vjeshtës?

Vala e gripit pritet nga mesi i dhjetorit në Zvicër

Vala e gripit pritet nga mesi i dhjetorit në Zvicër

“Objekt epshi”: Si u bë perëndesha e lashtë greke Afërdita simbol kontrovers i dashurisë dhe seksit | Momenti