Mishi me afat të skaduar u kap nga Dogana e Malit të Zi, por jo edhe nga ajo e Kosovës. Dogana e Kosovës thotë se kompania “Apetit” i është nënshtruar kontrolleve doganore në çdo dërgesë gjatë këtij viti. Por kontrollet doganore të shteteve fqinje e kanë kapur “Apetitin” në flagrancë duke futur në Kosovë mish te skaduar e duke ia mbuluar afatin e skadimit.
Autoritetet e Malit të Zi ndaluan në Portin e Tivarit katër kontejnerë me gjithsej rreth 103 tonë mish viçi me afat të skaduar, të destinuar për kompaninë kosovare “Apetit”. Në rastin e parë, më 15 shtator, u ndaluan tre kontejnerë me 77.8 tonë mish, ndërsa më 24 shtator u ndalua edhe një kontejner tjetër me 24.65 tonë.

Në rastin e tre kontejnerëve të parë, autoritetet malazeze kanë deklaruar se gjatë kontrollit janë gjetur etiketa origjinale ku ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit, ndërsa më pas ato dyshohet se ishin zëvendësuar me etiketa me një afat tjetër. Për rastin e dytë, autoritetet kanë konstatuar se mishi kishte afat përdorimi deri më 14 maj 2026.
Përballë këtyre gjetjeve, Dogana e Kosovës thotë se të gjitha dërgesat e “Apetit” gjatë këtij viti janë kontrolluar pa përjashtim.
“Ju njoftojmë se gjatë këtij viti subjekti në fjalë në të gjitha dërgesat i është nënshtruar kontrollit pa përjashtim”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.
Sa i përket informacionit të pranuar nga autoritetet e Malit të Zi për dërgesën e ndaluar, Dogana thotë se ai trajtohet sipas procedurave përkatëse dhe shërben për “pasurimin dhe përditësimin e analizës së riskut të Doganës së Kosovës”.
“S a i përket informacionit të pranuar nga autoritetet e Malit të Zi lidhur me një dërgesë të ndaluar në atë shtet, informacionet e tilla trajtohen në përputhje me procedurat përkatëse dhe shërbejnë për pasurimin dhe përditësimin e analizës së riskut të Doganës së Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.
Autoritetet malazeze përmendën edhe Portin e Durrësit
Rasti mori një dimension tjetër pasi Administrata Doganore e Malit të Zi deklaroi se, përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, ishin evidentuar edhe parregullsi të lidhura me kompaninë “Apetit” në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit malazez, informacionet lidhur me këto raste janë shkëmbyer me administratat doganore kompetente dhe për ngjarjet është njoftuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Pikërisht lidhur me këto zhvillime, Dogana e Kosovës nuk ka dhënë detaje konkrete për rastet në Durrës, por ka thënë se informacionet e pranuara nga autoritetet e huaja trajtohen sipas procedurave dhe përdoren për përditësimin e analizës së riskut.
AUV ka shtuar kontrollet ndaj “Apetit”
Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se që nga 18 shtatori ka nisur kontrolle të detajuara ndaj operatorit ekonomik “Apetit” dhe se biznesi është mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas AUV-së, kontrollet përfshijnë verifikimin e dokumentacionit të importit, origjinës së produkteve, afateve të përdorimit, sasive të importuara e të shpërndara, si dhe marrjen e mostrave për analiza. Agjencia ka paralajmëruar se, nëse konstatohen rreziqe për sigurinë ushqimore, mund të ndërmerren masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu.
The post Skandali me 103 tonë mish të skaduar të “Apetit-it”- Dogana e Kosovës reagon: Çdo dërgesë ishte kontrolluar appeared first on Insajderi.




