Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë në një shkollë fillore në Poloni, ndërsa ky është sulmi i dytë i tillë brenda dy ditësh.
Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 09:00 në Leszczydół-Nowiny, në verilindje të Varshavës. Policia bëri të ditur se sulmuesi, një 15-vjeçar dhe ish-nxënës i kësaj shkolle, vrau një 37-vjeçare që punonte si kujdestare dhe plagosi dy persona të tjerë.

Drejtori i shkollës, Krzysztof Ochmański, tha se kishte dëgjuar një britmë dhe kishte dalë në korridor për të ndërhyrë.
“Ai më plagosi me tehun e një thike mjaft të gjatë – kishte tri thika me vete – dhe më goditi me dorezë. Deri atëherë, kisha arritur ta neutralizoja”, tha ai për transmetuesin publik Polskie Radio RDC.
Sipas televizionit TVN24, edhe një mësues tjetër u plagos teksa po përpiqej ta ndalonte sulmuesin.
Ministria e Brendshme njoftoi se nuk ka persona të tjerë në rrezik për jetën.
“Sulmuesi ishte ish-nxënës i kësaj shkolle fillore dhe aktualisht është nxënës në një shkollë profesionale. Në këtë moment, nuk i dimë motivet”, deklaroi një zëdhënëse e ministrisë.
Sulmi ndodhi vetëm një ditë pasi një 19-vjeçar plagosi 10 persona, përfshirë edhe veten, në një tjetër shkollë në Poloni.
Burimi: Dukagjini




