Policia e Kosovës, në bashkëpunim me disa institucione shtetërore dhe Klubin e Zhytjes “Trepça”, ka arritur ta nxjerrë nga liqeni i Ujmanit një automjet që ishte fundosur në ujë në rrethana të paqarta.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar të dielën, më 8 nëntor 2026, në Mitrovicën e Veriut, ku kanë marrë pjesë njësitë e rendit dhe njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, Ekipi Nacional i Kërkim-Shpëtimit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Klubi i Zhytjes “Trepça”.
Operacioni i përbashkët ka nisur rreth orës 10:00, ndërsa në orën 12:40 është arritur identifikimi dhe nxjerrja e automjetit nga liqeni.
Policia bën të ditur se ky aksion është mundësuar pas rënies së nivelit të ujit në liqenin e Ujmanit dhe njëkohësisht ka shërbyer edhe si trajnim praktik për pjesëtarët e institucioneve të përfshira.
Rasti ishte raportuar më 14 tetor 2025 nga pronari i automjetit, i cili kishte njoftuar se vetura e tij, e parkuar jashtë rrugës pranë liqenit të Ujmanit, në rrethana të paqarta kishte rënë në ujë dhe ishte fundosur.
Pas nxjerrjes nga liqeni, automjeti i është dorëzuar pronarit legjitim.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe për bashkëpunim me institucionet e tjera në operacione të tilla. /Telegrafi/




