Qeveria e Francës po përballet me presion të shtuar për shkak të situatës së sigurisë, pas trazirave dhe plaçkitjeve të regjistruara gjatë fundjavës, në kuadër të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë.

Autoritetet qendrore u kanë kërkuar disa autoriteteve lokale të vendosin orë policore, ndërsa në disa zona janë marrë masa kufizuese për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, përjashtoi vendosjen e orës policore në të gjithë Parisin, por nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ai tha se, për momentin, janë më të përshtatshme masat e kufizuara në zona të caktuara, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Vendosmëria ime për të rivendosur rendin është absolute”, deklaroi Lecornu para gazetarëve.
Ndërkohë, Ariel Weil, kryetar socialist i bashkisë së zonës qendrore të Parisit, shprehu mbështetjen për vendosjen e orës policore. Në qytetin e Marsejës janë ndaluar tubimet dhe demonstratat.
Situata është përshkallëzuar pas disa javësh protestash studentore, ndërsa gjatë fundjavës u regjistruan plaçkitje dhe përleshje mes disa protestuesve dhe policisë.
Në anën tjetër, sindikatat franceze kanë bërë thirrje për një valë të re grevash dhe protestash më 5 nëntor.
Sipas Reuters, trazirat po shtojnë presionin ndaj qeverisë franceze, rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Protestat po zhvillohen në një periudhë të vështirë ekonomike për vendin, të shoqëruar me rritje të borxhit publik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ministri i Brendshëm francez ofron dorëheqjen, Macroni e refuzon appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




