Luka Modric ka folur me shumë respekt për Lionel Messin, duke e cilësuar argjentinasin si një prej futbollistëve më të mëdhenj në botë.

“Leo ka bërë diçka të jashtëzakonshme me kombëtaren. Ai fitoi Kupën e Botës që e dëshironte dhe është një nga lojtarët më të mirë në botë”, deklaroi Modric.
Mesfushori kroat, i cili ka pasur përballje të shumta me Messin si me Kroacinë, ashtu edhe gjatë viteve të tij te Real Madridi, pranoi se argjentinasi i ka shkaktuar shumë vuajtje në fushë.
“Ka qenë kënaqësi ta shoh duke luajtur, edhe pse kam vuajtur shumë kundër tij, si me kombëtaren, ashtu edhe te Real Madridi”, shtoi Modric.
Dyshja ka qenë në qendër të disa prej dueleve më të mëdha të futbollit modern, përfshirë përballjen mes Kroacisë dhe Argjentinës në gjysmëfinalen e Botërorit 2022, ku Messi shënoi dhe asistoi në fitoren 3-0 të argjentinasve.
Pavarësisht rivalitetit në fushë, fjalët e Modric tregojnë respektin e madh që një prej mesfushorëve më të kompletuar të gjeneratës së tij ka për një prej rivalëve më të mëdhenj të karrierës.




