Në dy shkolla të Istogut, nxënësit nuk po e mbajnë të njëjtën veshje, pavarësisht se ideja fillestare ishte që të gjithë filloristët të uniformoheshin.

Drejtoresha e shkollës “Bajram Curri” në Istog kishte synuar që për herë të parë të gjithë nxënësit të pajiseshin me uniforma. Megjithatë, iniciativa nuk u realizua plotësisht dhe vetëm një pjesë e nxënësve i kanë veshur ato.
Drejtoresha e kwsaj shkolle është pezulluar nga puna pasi procedurat e tenderimit për uniformat i kishte zhvilluar pa marrë miratimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe drejtoresha e shkollës në Gurrakoc. Për këtë arsye, Drejtoria e Arsimit ka marrë vendim të njëjtë për të dyja drejtoreshat.
Nga komuna ishte kërkuar paraprakisht që menaxhmentet e shkollave të mos ndërmerrnin iniciativa të tilla pa koordinim me DKA-në. Megjithatë, dy drejtoreshat nuk e kishin ndërprerë marrëveshjen as pas kërkesës së Drejtorisë së Arsimit.
Nismën për uniformat po e kundërshtojnë edhe prindërit, të cilët kanë dorëzuar qindra ankesa në Drejtorinë Komunale të Arsimit.
Por si do të veprohet tutje, dhe nëse prindërve do i kthehen mjetet nuk dihet ngase pavarësisht përpjekjeve të Klanit për t’i kontaktuar, të njëjta ishin të paqasshme.




