Barcelona i vendosi klauzolë 40 milionë, Kosova e ftoi në 16 vjeç – historia e Labinot Kabashit që e la futbollin shumë herët

Barcelona i vendosi klauzolë 40 milionë, Kosova e ftoi në 16 vjeç – historia e Labinot Kabashit që e la futbollin shumë herët

Barcelona i vendosi klauzolë 40 milionë, Kosova e ftoi në 16 vjeç – historia e Labinot Kabashit që e la futbollin shumë herët

Dikur konsiderohej një prej talenteve më premtues shqiptarë në futbollin evropian. Labinot Kabashi ishte pjesë e La Masias, u ftua në Kombëtaren A të Kosovës në vetëm 16 vjeç dhe Barcelona besonte aq shumë tek ai, saqë në kontratën e tij vendosi edhe një klauzolë largimi prej 40 milionë eurosh.

Sponsor 3M Express

Sot, historia e tij është krejt tjetër. Kabashi e ka mbyllur karrierën profesionale në moshën vetëm 22-vjeçare, pasi aventura e fundit ishte te Villarreal C.

Nga një prej emrave që premtonte shumë në akademinë e Barcelonës, ai u largua gradualisht nga skena e futbollit.

Kabashi dhe Dembele në stërvitje

Tetë vite në La Masia

Historia e Kabashit me Barcelonën kishte nisur shumë herët. Në vitin 2010, kur ishte vetëm 10 vjeç, ai iu bashkua klubit katalunas nga Gimnàstic Manresa, edhe pse ai kishte lindur në Finlandë, ku jeton edhe sot.

Për tetë vite ai ishte pjesë e strukturave të Barcelonës dhe kaloi nëpër grupmoshat e akademisë së njohur, La Masia. Në Katalonjë e shihnin si një futbollist me potencial të madh, ndërsa pozita e tij kryesore ishte në mesfushë, edhe pse mund të luante në role të ndryshme në repartin ofensiv.

Në mediat spanjolle ai u përshkrua si një lojtar teknik dhe kreativ, ndërsa në një periudhë të karrierës së tij të re pati edhe krahasime me Andrés Iniestën.

Pritshmëritë ndaj tij ishin të mëdha. Dhe këtë e dëshmon edhe një detaj i jashtëzakonshëm nga viti 2019.

Labinot Kabashi

Barcelona i vendosi klauzolë prej 40 milionë eurosh

Në vitin 2019, Barcelona vendosi të vazhdonte kontratën e Kabashit, duke i ofruar një marrëveshje të re që do ta mbante në klub deri në vitin 2021, me mundësi zgjatjeje edhe për dy vite të tjera. Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte klauzola e largimit.

Barcelona i kishte vendosur Kabashit një klauzolë prej 40 milionë eurosh. Për një futbollist të ri të akademisë, kjo ishte një shifër e jashtëzakonshme dhe tregonte se sa shumë besim kishte klubi katalunas në potencialin e tij.

Në atë kohë, Kabashi konsiderohej futbollisti nga Kosova me klauzolën më të madhe të largimit nga klubi i tij. Ai ishte vetëm 18 vjeç, por Barcelona po e mbronte talentin e tij me një vlerë që zakonisht lidhej me futbollistë të një niveli shumë më të lartë.

Gjithçka dukej se po shkonte në drejtimin e duhur. Kabashi kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë në La Masia dhe tashmë kishte edhe një kontratë që tregonte besimin e madh të Barcelonës tek ai.

Por rruga drejt futbollit të madh do të bëhej shumë më e vështirë.

Labinot Kabashi kur nënshkroi kontratën me Barcelonën

Në moshën 16-vjeçare u ftua te Kosova

Në vitin 2016, kur ishte vetëm 16 vjeç, Kabashi mori një tjetër vlerësim të madh. Përzgjedhësi i Kosovës në atë kohë, Albert Bunjaki, e ftoi në Kombëtaren A.

Ftesa ishte e veçantë për një lojtar të asaj moshe. Kabashi ishte ende pjesë e akademisë së Barcelonës, por në Kosovë e shihnin si një futbollist që mund të bëhej pjesë e rëndësishme e përfaqësueses në vitet e ardhshme.

Megjithatë, ai nuk arriti të debutonte me Kombëtaren A. Barcelona kishte kërkuar që ai të mos aktivizohej në ndeshjet e asaj periudhe, ndërsa çështjet e regjistrimit dhe statusit të tij ndërkombëtar ndikuan gjithashtu në situatën e tij.

Në atë moment, megjithatë, emri i Kabashit po qarkullonte gjithnjë e më shumë. Një talent shqiptar nga Kosova, i rritur në La Masia dhe i ftuar në Kombëtaren A që në adoleshencë.

Por më pas erdhi goditja që do të ndikonte seriozisht në vazhdimin e karrierës. Ai sot me 26 vite, do të ishte një nga lojtarët kryesorë të Kosovës.

Labinot Kabashi dhe Herolind Shala

Dëmtimet që ndryshuan gjithçka

Kabashi pësoi dëmtime të rënda në gju, duke humbur periudha të gjata të zhvillimit. Problemet me ligamentet e gjurit e lanë jashtë fushës për një kohë të gjatë dhe ia ndërprenë ritmin pikërisht në momentin kur duhej të bënte hapin e rëndësishëm drejt futbollit senior.

Në vend të progresit të vazhdueshëm, ai u detyrua të përballej me rikuperime të gjata dhe rikthime të vështira.

Megjithatë, Kabashi vazhdoi të luftonte për rikthimin. Në vitin 2020 ai u afrua me Barcelona B, por nuk arriti të bëjë debutimin me ekipin e parë të klubit.

Pas dhjetë vitesh në Barcelonë, rrugët e tij me klubin katalunas u ndanë dhe Kabashi kërkoi një mundësi të re për ta ringjallur karrierën.

Ansu Fati dhe Labinot Kabashi

Villarreal C – kapitulli i fundit

Në vitin 2020, Kabashi iu bashkua Villarrealit, ku u aktivizua me ekipin C.

Ky duhej të ishte një kapitull i ri për mesfushorin kosovar. Pas largimit nga Barcelona, Villarreal i dha mundësinë të vazhdonte të luante dhe të rikthehej gradualisht në nivelin ku kishte qenë para dëmtimeve.

Kabashi pati edhe paraqitje pozitive me Villarreal C dhe shënoi gola, por nuk arriti të bëjë hapin drejt ekipit të parë.

Në fund, Villarreal C do të rezultonte të ishte skuadra e fundit e karrierës së tij.

– YouTube www.youtube.com

E la futbollin vetëm 22-vjeç

Në vitin 2022, Labinot Kabashi e mbylli karrierën profesionale. Ishte vetëm 22 vjeç. Një futbollist që kishte kaluar tetë vite në La Masia, që Barcelona e kishte mbrojtur me një klauzolë prej 40 milionë eurosh dhe që ishte ftuar në Kombëtaren A të Kosovës në moshën 16-vjeçare, tashmë nuk ishte më pjesë e futbollit profesionist.

Historia e Kabashit është një prej atyre rasteve që tregojnë se sa e paparashikueshme mund të jetë rruga e një talenti. Në moshën e adoleshencës, gjithçka dukej se po e çonte drejt niveleve më të larta të futbollit evropian.

Por dëmtimet e rënda dhe vështirësitë për t’u rikthyer në nivelin e mëparshëm bënë që ëndrra e madhe të përfundonte shumë më herët nga sa ishte parashikuar.

Nga La Masia, kontrata me klauzolë 40 milionë euro dhe ftesa e Kosovës, deri te Villarreal C dhe pensionimi në moshën 22-vjeçare – kjo është historia e një prej talenteve kosovarë për të cilët dikur pritej shumë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Hysa gati për sfidën historike: Po stërvitem fort çdo ditë

Hysa gati për sfidën historike: Po stërvitem fort çdo ditë

Limaj me fjalë të mëdha për Shiroka-Pulën: S’ka energji negative, din me thënë po dhe jo!

Limaj me fjalë të mëdha për Shiroka-Pulën: S’ka energji negative, din me thënë po dhe jo!

Gruda: Ligji për Specialen nuk e shkel Kushtetutën, Kosova duhet të qëndrojë prapa tij

Gruda: Ligji për Specialen nuk e shkel Kushtetutën, Kosova duhet të qëndrojë prapa tij