Zëri i mërgatës shqiptare po jehon këtë të shtunë para Parlamentit Evropian në Bruksel, ku mijëra protestues janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lirimin e tyre.

Rreth organizimit të këtij tubimi në kryeqendrën evropiane kanë folur organizatorët Ismet Ademi dhe Ornela Prifiti, të cilët kanë theksuar rëndësinë e përcjelljes së mesazhit të shqiptarëve tek institucionet evropiane.
Në një lidhje për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Ornela Prifiti ka thënë se mesazhi i protestës është i qartë: drejtësia duhet të vihet në vend, njofton Klankosova.tv
Ajo ka theksuar se mijëra shqiptarë janë mbledhur para Parlamentit Evropian me motot “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka Emër”, për të shprehur mbështetjen e tyre për çlirimtarët.
Ndërkaq, Ismet Ademi ka bërë të ditur se në protestë po marrin pjesë shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Francën dhe Luksemburgun.
Ai ka shprehur bindjen se ky tubim do të përcjellë një mesazh të fuqishëm te institucionet evropiane.
“Besoj që Evropa do ta dëgjojë zërin e shqiptarëve”, deklaroi Ademi, duke shtuar se kërkesa e protestuesve është që çlirimtarët të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre.
Sipas tij, pjesëmarrja e madhe në protestë dëshmon përkrahjen e mërgatës shqiptare për çlirimtarët, njofton Klankosova.tv.




