Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese

Meningjiti mund të marrë jetë brenda 24 orësh: Këto janë simptomat alarmuese
Temperatura, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër simptomat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha. Forma bakteriale kërkon trajtim urgjent Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër shenjat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha simptomat. Meningjiti bakterial është forma më […]

Temperatura, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër simptomat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha. Forma bakteriale kërkon trajtim urgjent

Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës dhe ngurtësimi i qafës janë ndër shenjat kryesore, por jo çdo pacient i ka të gjitha simptomat. Meningjiti bakterial është forma më e rrezikshme dhe kërkon trajtim urgjent

Meningjiti mund të përparojë shumë shpejt dhe, në rastet më të rënda, të marrë jetë brenda më pak se 24 orësh. Pikërisht për këtë arsye, Dita Botërore e Meningjitit, e cila shënohet më 5 tetor, këtë vit përcillet me mesazhin “Tani është koha për veprim”, duke vënë theksin te parandalimi, njohja e hershme e sëmundjes dhe trajtimi në kohë.

Meningjiti është inflamacion i meningjeve, përkatësisht i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Ai mund të shkaktohet nga bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët, por edhe nga disa gjendje jo-infektive.

Ndër format më të shpeshta, më i rrezikshmi është meningjiti bakterial. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, afërsisht një në gjashtë persona të prekur vdes, ndërsa rreth një në pesë përballet me komplikime të rënda.

Cilat simptoma mund të tregojnë meningjit?

Simptomat klasike te të rriturit janë temperatura e lartë, dhimbja e kokës dhe ngurtësimi i qafës, por është e rëndësishme të dihet se jo çdo person i prekur i ka domosdoshmërisht të tria këto shenja.

Mund të shfaqen edhe:

  • ndjeshmëri ndaj dritës;
  • të përziera ose të vjella;
  • konfuzion;
  • përgjumje e theksuar ose vështirësi për t’u zgjuar;
  • humbje e oreksit.

Dhimbja e kokës mund të jetë shumë e fortë dhe të përhapet drejt shpinës, por te disa persona mund të jetë edhe e lehtë. Për këtë arsye, nuk duhet pritur që dhimbja të bëhet e fortë nëse janë të pranishme edhe simptoma të tjera që mund të lidhen me meningjitin.

Te foshnjat, shenjat mund të jenë të ndryshme dhe të përfshijnë fryrjen e fontanelës, ushqyerje të dobët, nervozizëm, përgjumje, vështirësi për t’u zgjuar dhe reagime jashtëzakonisht të dobëta ndaj stimujve, transmeton Telegrafi.

Foto: FabrikaPhoto

Si trajtohet meningjiti?

Trajtimi varet nga shkaktari. Meningjiti bakterial kërkon dhënie urgjente të antibiotikëve, ndërsa te meningjiti i shkaktuar nga kërpudhat përdoren antimykotikët.

Terapia antivirale përdoret në disa infeksione virale, ndërsa pjesë e trajtimit mund të jenë edhe kortikosteroidet, barnat kundër dhimbjes dhe lëngjet intravenoze.

Meningjiti viral, në disa raste, mund të kalojë brenda rreth një jave, por pa ekzaminim mjekësor nuk mund të përcaktohet shkaktari i simptomave. Për këtë arsye, çdo dyshim për meningjit kërkon ndihmë urgjente mjekësore.

A mund të mbeten pasoja të përhershme?

Meningjiti mund të shkaktojë humbje të dëgjimit ose shikimit, probleme me kujtesën dhe të menduarit, çrregullime të lëvizjes dhe kriza epileptike, ndërsa ndër komplikimet më serioze është edhe sepsa.

Vetë meningjiti nuk transmetohet si i tillë nga një person te tjetri, por disa prej baktereve dhe viruseve që e shkaktojnë atë mund të përhapen nga njeriu te njeriu.

A mund të parandalohet meningjiti?

Nga disa prej shkaktarëve të meningjitit bakterial është e mundur të mbrohemi përmes vaksinimit. Në Serbi, vaksinat kundër sëmundjeve të shkaktuara nga pneumokoku dhe bakteri Haemophilus influenzae tipi b (Hib) janë pjesë e kalendarit të detyrueshëm të imunizimit të fëmijëve, ndërsa vaksina kundër meningokokut aplikohet sipas indikacioneve të caktuara.

Megjithatë, vaksina nuk ekziston kundër të gjithë shkaktarëve të meningjitit. Një prej tyre është edhe virusi i Nilit Perëndimor, i cili transmetohet përmes pickimit të mushkonjës së infektuar dhe, në raste të rënda, mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë meningjit ose encefalit.

Rreziku nga disa infeksione mund të zvogëlohet përmes larjes së rregullt të duarve, shmangies së kontaktit të afërt me personat e sëmurë dhe përgatitjes së sigurt të ushqimit, ndërsa për parandalimin e infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor më e rëndësishmja është mbrojtja nga pickimi i mushkonjave. /Telegrafi/

Lexo edhe

Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

Arrestohet nipi i Hashim Thaçit

Arrestohet nipi i Hashim Thaçit

Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga ‘aeroplani i Trumpit’

Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga ‘aeroplani i Trumpit’