Nga: Eduart Caka

Këtë fillim tetori qëndrova në Stamboll për punë të mijat studimore. Sigurisht, kur vjen në këtë qytet të stërmadh që ka qenë kryeqendër e dy perandorive, nuk mund të mos i rezistosh dëshirës, por edhe nevojës që kërkon profesioni për të punuar në disa prej bibliotekave kryesore. Nuk di të them me saktësi se sa të tilla ka Stambolli; vetëm unë kam pasur mundësinë të qëndroj në së paku rreth njëzet prej tyre. Ambiente të pastra, shumë qetësi, me nëpunës të sjellshëm që të gjenden pranë për çdo paqartësi që mund të kesh. Një atmosferë që të ngjall një frymë deri diku sakraliteti, pikërisht ashtu sikurse e meriton libri dhe dija.
Teksa shkruaj këtë tekst më vijnë në mendje me dhjetëra postulate mbi dijen, librin e bibliotekën, të cilat i hasim tashmë rëndomtë edhe të shkruara në rrjetet sociale, duke nisur me Ciceronin e Senekën e për të mbërritur deri tek Eco. Megjithatë, ndryshe prej asaj dashurie të madhe që reflektojmë me postimet në këto platforma, në mesin e të cilëve nuk janë të pakta as ato që kanë për autorë drejtues dhe përgjegjës që kanë për detyrë të bëjnë politikat e librit, artit e kulturës në vend, aktualiteti na servir përpara një panoramë aspak shpresëdhënëse.
Megjithëse jemi një shtet që vitin në vijim festojmë plot 115 vjet pavarësi, fatkeqësisht ne ende nuk kemi një Bibliotekë Kombëtare në kuptimin e mirëfilltë të asaj se si duhet të jetë një institucion i tillë. Këtu nuk dëshiroj të ndalem te zjarret, përmbytjet apo “fatkeqësitë” e tjera që i kapluan librat e gjorë që gjendeshin në atë godinë – një pjesë e vogël e së cilës shërben si Bibliotekë Kombëtare, ndërsa pjesa tjetër është e mbushur me lloj-lloj shoqatash, baresh, parkingjesh etj. por, te rëndësia që ne si shtet dhe shoqëri i japim dijes në tërësinë e saj.
Rasti i mësipërm nuk është i kufizuar, pasi frekuentuesit e bibliotekave e dinë mjaft mirë se në institucione të ngjashme librat dergjen korridoreve, janë të vendosura në tokë apo të grumbulluara në një cep, pasi godinat janë të pamjaftueshme ose mungon infrastruktura e mirëfilltë që duhet të ketë një bibliotekë. Prandaj, nuk janë të pakta vendet ku punonjësit të thonë me zë të ulët se nuk mund të marrin më libra, qoftë edhe në formën e dhuratës, pasi nuk kanë vend se ku t’i vendosin. Për mos folur për bibliotekat e qyteteve, shumica e të cilave kanë në inventar materiale dhe libra që datojnë para vitit 1990.
Nëse këto që parashtrova më lart e çojnë përgjegjësinë tek institucionet shtetërore, nuk është e ndryshme situata as kur flasim për shoqërinë në tërësinë e saj. Ndryshe prej shumë vendeve të tjera ku libri i vjetër apo i përdorur shitet në librari që janë enkas vetëm për këtë tipologji botimesh, në Tiranë librat shiten në bordurat e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” apo tek urat përgjatë Lanës. Athua se gjithë ai beton që vazhdon të derdhet në Tiranë çdo ditë mjafton për gjithçka tjetër, nuk ka vend vetëm për vendosjen dhe shitjen me hijeshinë e vet që i takon librit. Dhe, ajo që është, ndoshta edhe më e dhimbshme, janë ato libra që i gjen përgjatë Lanës e që kanë dalë prej bibliotekave private të elitave intelektuale të vendit. I gjen me shënimet e tyre personale, të firmosura apo të vulosura e të ruajtura me shumë mund, në një kohë kur gjetja e një libri nuk ishte një gjë e lehtë sikurse është sot. Duket se për pasardhësit e tyre, libri është vetëm një objekt që ngushton ambientet e shtëpisë, pikërisht aty ku tanimë vendin e kanë ekranet e mëdha. Historia nuk mbaron me kaq.
Në udhëpërshkrimet e autorëve të huaj, por edhe në kujtimet e figurave të njohura të fillimeve të shekullit XX, mësojmë me hollësi ekzistencën e një numri të madh bibliotekash private që zotëroheshin prej familjeve të mëdha apo dhe të veçanta që i gjeje pranë institucioneve arsimore me karakter fetar. Një tregues se libri nuk qe i huaj për ne dhe se prania e bibliotekave te shqiptarët shkon pas në kohë, së paku dy ose tre shekuj. Kjo, nëse do të kemi parasysh bibliotekat e Bushatlinjve, Vlorajve etj.. Mirëpo, në vend që të ruheshin, u lanë në mëshirë të fatit. Një pjesë e tyre u largua jashtë Shqipërisë, një pjesë tjetër u konfiskua për t’u vendosur në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa të tjera biblioteka të familjeve të mëdha “u harruan” në bibliotekat e qyteteve.
Kjo gjendje e funksionimit të institucioneve që i shërbejnë dijes e librit, si ajo e konservimit apo dhe e tregtimit, na duket krejtësisht normale kur e shohim nga Tirana, dhe tërësisht anormale kur llupën e shikimit e mban prej çdo vendi tjetër ku dija, libri, lexuesi e studiuesi, dhe sigurisht bibliotekat janë gurthemel i shtetndërtimit dhe prosperitetit. Duket se jemi të kënaqur ose mjaftohemi me injorancën tonë duke mos dashur të shohim më tutje! … E, kur e them këtë, mendja më shkon te një relacion i një misionari françeskan të viteve 1630, i cili u çudit kur pa qasjen që shqiptarët kishin ndaj besimeve në tërësi, që u shkruan eprorëve të tij në Romë se “këtyre u duket vetja më të mençur se njerëzit e tjerë të botës”.
Do doja ta përfundoj këtë reflektim duke e lidhur paksa edhe me aktualitetin, ku u bënë disa kohë tashmë që politika jonë, për qëllimet e veta pragmatiste, sigurisht, po risjell në vëmendje nocione, kode e madje epoka të cilat kanë një rëndësi të veçantë në historinë, traditat dhe të shenjtat shqiptarëve. Amaneti, Besa, Rilindja! … Mirëpo, ata që i përdorin këto fjalë me domethënie të madhe, e dinë mjaft mirë se ishte ajo Rilindje e cila nuk prodhoi vetëm shtetin që ne gëzojmë sot, por edhe atë zenit kulturor që ne e arritëm thuajse njëqind vjet më parë. Thënë ndryshe, ai brez njerëzish dhe botëkuptim që ne e kemi thjeshtëzuar me fjalën Rilindje, hodhi pikërisht ato rrënjë të dijes e mendimit që lulëzuan në vitet ’30 të shekullit XX, duke prodhuar atë ajkë të kulturës shqiptare, të cilën ne ende sot nuk e arrijmë dot.
Nëse duam Rilindje të dytë, atëherë kjo duhet të ndodhë duke vënë në hierarkinë e punëve atë që e meriton më shumë, dijen, librin dhe bibliotekat …




