Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar Kosovën për vendimin e Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë vendim të papranueshëm.

Ajo i ka bërë këto deklarata të hënën, në Luksemburg, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku një nga temat e diskutimit është procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kos ka thënë se ndryshimet në ligj janë në kundërshtim me obligimet që Kosova ka ndaj BE-së, si dhe me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka deklaruar ajo.
Komisionerja ka theksuar se ndryshimi i rregullave gjatë kohës kur proceset gjyqësore janë në vazhdim bie ndesh me standardet ndërkombëtare.
“Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, ka thënë Kos.
Ajo ka dërguar gjithashtu një mesazh për vendet e rajonit që synojnë anëtarësimin në BE, duke theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe përmbushja e obligimeve janë thelbësore për përparimin në këtë proces.
Sipas saj, vendet që bëjnë hapa prapa në përmbushjen e këtyre standardeve nuk po ndjekin rrugën e duhur drejt anëtarësimit.
Kos ka shtuar se, përveç sundimit të ligjit, vendet kandidate duhet të përshtaten edhe me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, sipas saj, Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të mbyllin kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia pritet të hapin kapituj të tjerë. Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Gjeorgjia, sipas komisioneres, vazhdojnë të jenë të bllokuara në procesin e zgjerimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Marta Kos kritikon Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




