Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Nika deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën dhe se është i pafajshëm.
Rigjykimi nisi me kërkesën e mbrojtjes për sigurimin e një përkthyesi që e njeh dialektin zviceran të gjermanishtes, me arsyetimin se përkthyesi aktual nuk i kupton plotësisht specifikat gjuhësore të të akuzuarit.

Gjykatësi Gazmend Bahtiri tha se, sipas njoftimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përkthyesit licencohen për gjermanishten standarde, por jo për dialektin gjerman të përdorur në Zvicër.
Pas kërkesës së Nikës dhe avokatit të tij, Tomë Gashi, gjykata vendosi të bëjë përpjekje për të gjetur një përkthyes që e njeh këtë dialekt. Për këtë arsye, seanca u ndërpre, ndërsa vazhdimi u caktua për 25 shtator, në orën 09:30.
Prokurori Armend Hamiti deklaroi se Prokuroria synon të dëshmojë përtej dyshimit të bazuar se Nika e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Betim Shala, u shpreh se i bashkëngjitet ndjekjes penale.
Nika ishte dënuar më herët me 18 vjet burgim për vdekjen e Maria Clara Urdangaray, e cila më 1 gusht 2023 kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë.
Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim pas ankesës së mbrojtjes, duke e rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallën e parë.
Burimi: RTKLive




